Fiorentina rikthehet në finalen e Kupës së Italisë pas 9 vitesh, pasi eliminoi në gjysmëfinale Cremonesen. Skuadra nga Firence barazoi pa gola në ndeshjen e dytë të luajtur në shtëpi, por i gëzohet fitores 0-2 të ndeshjes së parë.
Avantazhi i arritur në takimin e vajtjes e ktheu në një përballje pa shumë zjarr duelin e kthimit, teksa të dyja ekipet bënë shumë pak në fushën e lojës. Skuadra viola ishte dominuese në pjesën më të madhe të sfidës.
Miqtë e patën të vështirë që të krijonin situata të rrezikshme. Në të 16-n, Nikola Milenkoviç iu afrua golit, por tentativa e tij shkoi shumë pranë kuadratitit. Në pjesën e dytë mund të veçohet një mundësi e mirë nga Arthur Cabral. Por dhe ky i fundit nuk arriti dot ta dërgonte topin në rrjetë.
Fiorentina gjen Interin në finalen e 24 majit e do të synojë që të fitojë për të shtatën herë këtë trofe. Në anën tjetër do të luajë finalen e 11-të në historinë e saj. Ndalet këtu surpriza Cremonese, që kërkonte finalen e parë. Por duhet të mjaftohet vetëm me gjysmëfinalet në këtë edicion dhe krenarinë e eliminimit të Romës dhe Napolit.