Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka propozuar që të diskutohet çështja e financimit të strukturave paralele, raporton EO.
Sipas tij, janë dhënë mjete financiare për persona që nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë, dhe se për të kjo është mjaftë shqetësuese.
“Janë disa gjetje të cilat janë të përsëritura në shumicën e institucioneve edhe nuk bëjnë shumë përmbushje të tyre direkt pa ndihmën e dikujt tjetër ose aktivizimin e mekanizmave të tjerë për me i eliminuar ato gjetje. Prandaj që mundet me u bërë, besoj që duhet me u identifikuar cilat janë këto gjetje të cilat po përsëriten në vazhdimësi edhe ndikojnë më shumë në raportin tonë për përmbajtjen e komplet punës që bëhet. Por që duhet me u identifikuar me u punuar, nuk është diçka e vështirë, e organizueshme dhe me pasur rezultat bazë përvojës se çka kemi gjetur më shumë si kreativitet.
Roli i jonë si komision mbi gjetjet të cilat i ka Auditori në raport me ministrinë, me institucionet e tjera po ashtu dhe ky komision. Ka pasur një debat rreth nivelit komunal mbi shqetësimet vazhdimësi që duhet me ardhë me raportuar këtu para këtij komisioni të mbikëqyrjes së financave publike. Secili kryetar i komunës do duhej brenda këtij raporti të auditimit për këtë komision. Ka pasur debate, ka pasur edhe interpretime ligjore nëse nuk raporton. Por që për mua s’më ka bindë as nuk duhet të bindë asnjërin prej nesh sepse ata shpenzojnë paratë publike, buxhetin e Republikës së Kosovës. Dhe ai që i auditon është Zyra Kombëtare e Auditimit. E ai i cili merret me mbikëqyrjen e raporteve të auditimit edhe të institucioneve të tjera është kjo, është ky komision, që unë besoj që duhet patjetër t’i marrim t’i shqyrtojmë, t’i trajtojmë, të kërkojmë llogari pak më shumë sesa që mundet me kërkuar prej asambleve komunale.
Rrahmani ka kërkuar që të diskutohet edhe çështja e financimit të strukturave paralele nga buxheti i Republikës së Kosovës.
“Edhe çka është diçka shumë shqetësuese e që mbase kisha propozuar që të diskutohet shumë shpejt është çështja e financimit të strukturave paralele nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pra, janë financuar gjatë këtyre pesë viteve diku mbi 6 milionë euro, janë dhënë para pa shkuar asnjë ditë në punë. Dhe besoj që për këtë është gjetur Auditori, mbase shprehja e ime janë punëtorë të cilët nuk shkojnë asnjë ditë në punë. Kanë qenë pjesë e strukturave paralele me marrëveshjen e vitit 2015 është provuar të integrohen. Mirëpo ata prej vitit 2015, një pjesë e tyre asnjë ditë nuk i paraqiten në punë edhe janë miliona euro që janë shpenzuar. E kjo qeverisje nuk ka marrë ndonjë hap për ndërprerjen e financimit të këtyre strukturave paralele të cilat nuk gjenden asnjëherë në punë, si pjesë e institucioneve. Kështu që besoj që kish qenë mirë me pasur si pikë të këtij takimi edhe me u angazhuar që me nxjerrë një raport, vetëm për të parë objektin se pse ministritë vazhdojnë të financojnë këto struktura ende edhe sot. Është diçka skandaloze, është numër i madh, është numër i bollshëm dhe po vazhdon pashkëputur që besoj që do duhej me na shqetësuar të gjithëve”, tha Rrahmani.






