Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se nga sot më 1 shtator ka filluar zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara.
Ky udhëzim parasheh që të gjitha produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës duhet të përmbajnë fotografi me ngjyra ose ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtjet shëndetësore.
“Vërejtjet shëndetësore do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen, si dhe produkteve të reja të duhanit.” – thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Fillon zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara
Ministria e Shëndetësisë, në përputhje me angazhimin për mbrojtjen e shëndetit publik dhe reduktimin e ndikimit të përdorimit të duhanit, dhe pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2024, i cili ndryshon dhe plotëson Udhëzimin Administrativ Nr. 05/2023 për Vërejtjet e Kombinuara, njofton se nga sot fillon zbatimi i këtij udhëzimi.
Të gjitha produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës duhet të përmbajnë fotografi me ngjyra ose ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ.
Vërejtjet shëndetësore do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen, si dhe produkteve të reja të duhanit.
Shih linkun për ilustrime të tjera mbi mënyrën si do të duken paketimet e produkteve të duhanit: DoënloadDocument