Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit, ndërsa roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës, ka thënë presidenti i FFK, Agim Ademi.
Ai tha se duke pasur parasysh rëndësinë e tyre, sot është shënuar një hap i madh drejt investimit në gjenerata të reja gjyqtarësh, që do të jenë e ardhmja e futbollit kosovar.
Në një takim me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, u fol për të ardhmen e ndarjes së drejtësisë në futbollin vendor. Ky takim njëherësh shënoi nisjen e procesit të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj.
Me përvojën dhe dijen e tyre, gjyqtarët elitarë do të shërbejnë si mentorë dhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja, duke i ndihmuar në zhvillimin profesional dhe ngritjen e standardeve. Po ashtu, ata do të vendosin për avancimin e gjyqtarëve në kategori, bazuar në performancën dhe progresin e tyre.
Ky proces është i lidhur drejtpërdrejt me fushatën e UEFA-s “Be A Referee”, e cila synon të motivojë të rinjtë të marrin pjesë në referim dhe të bëhen pjesë aktive e lojës më të bukur në botë.
Përmes këtij angazhimi, pritet të krijohet një bazë solide për të ardhmen e futbollit kosovar, ku pasioni, profesionalizmi dhe ndershmëria do të jenë gjithmonë në qendër.