Paralajmërimi për shtrenjtim të ri të energjisë elektrike ka nxitur reagime të ashpra në vend. Nga dita që KEDS ka dorëzuar në ZRrE kërkese për shtrenjtim të rrymës kanë filluar diskutimet nga figura të ndryshme rreth kundërshtimin të kësaj kërkese. Derisa rinia e PDK-së dje ka mbajtur një aksion simbolik kundër këtij paralajmërimi, sot pritet të mbahet protesta e parë.
Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, kanë ftuar qytetarët që të iu bashkohen në protestën e sotme kundër shtrenjtimit të ri të rrymës.
Në njoftimin e organizatorëve janë treguar arsyet e protestës.
Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet sot nga ora 13:00.
Pika e grumbullimit është paraparë të jetë pranë objektit të KEDS-it, ndërsa marshimi do të vazhdojë deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
“Që nga viti 2022, faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë. Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit”, është thënë në njoftimin e këtyre organizatave.
Një ditë më parë, edhe Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur një aksion simbolik kundër paralajmërimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Aksioni, i cili është mbajtur te Ministria e Ekonomisë, është quajtur “Energjia nuk është luks”.
Gjatë këtij aksionit, të rinjtë e PDK-së kanë lënë para ministrisë një faturë simbolike të përmasave të mëdha.
Pas aksionit, kryetari i RDK-së, Trim Syla, ka thënë se faturat e rrymës janë të papërballueshme për qytetarët.
“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks. Pa pushime. Pa kursime. Vetëm bukë. Vetëm rrymë. Vetëm ngrohje. Vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, ka thënë Trim Syla i PDK-së.






