Komuna ka njoftuar se rruga “Xhorxh Bush”, në Prishtinë do të jetë e mbyllur deri me 8 janar të vitit të ardhshëm, për shkak të festave të fund vitit. Qarkullimi për qytetarët do të jetë i mbyllur nga udhëkryqi i “Bill Klinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi”.
Pas 3 ditëve mbyllje, në rrugën “Xhorxh Bush”, këtë mëngjes kanë filluar punimet. Ndarëset e trotuarit të dy korsive të rrugëve, ishin fillimi i punimeve.
Ndërsa, këtë fund vit shtëpizat e “Verë në Dimër”, mund t’i gjeni po në këtë zonë.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës Alban Zogaj, ka konfirmuar ato janë një përgatitje për sheshin e madh.
“Komuna ka filluar ta largojë mesin e rrugës, duhet edhe për festime të fund vitit, por në anën tjetër, përgatitet tutje edhe për sheshin e madh i cili do të jetë deri te katedralja në një të ardhme të afërt. Kjo është edhe një test i mirë sesi do të funksionojnë komunikacioni gjatë kësaj periudhe festive”, ka theksuar Zogaj.
Ai theksojë se finalizimi i projektit do të zgjasë deri në vjeshtë të vitit të ardhshëm.
“Për t’u finalizuar ky projekt duhet të fillojnë procedurat e prokurimit, sepse ai projekt ka kosto dhe duhet të planifikohet. Kjo do të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm, në mënyrë që finalizimi i projektit si tërësi do të zgjasë gjatë verës deri në vjeshtën e vitit 2023”, ka shtuar ai.
E derisa në këtë rrugë të qytetit, është ndalur qarkullimi i veturave, ende nuk është ndaluar puna e semaforëve. Semaforët vazhdojnë të punojnë edhe pse në atë pjesë qarkullojnë vetëm këmbësorët.
Dritat e semaforëve vazhdojnë të funksionojnë normalisht në rrugën e zbrazur nga veturat. E ky funksionim i tyre lë përshtypjen se semaforët vazhdojnë ta rregullojnë dhe trafikun, ku qarkullojnë qytetarë pa makina.
Komuna e Prishtinës gjithashtu ka njoftuar se rrjedha e qarkullimit të autobusëve në këtë zonë do të ndryshojë./IndeksOnline