FIFA ka dhënë suspensione 12-mujore dhe gjoba të mëdha për shtatë lojtarë pas një polemike mbi eligjibilitetin e tyre.
Shtatë lojtarë do të mungojnë në kualifikueset e Kupës së Azisë për Malajzinë ndaj Laosit të enjten, pas këtij vendimi.
Lojtarët janë: Gabriel Palmero, Facundo Garces, Rodrigo Holgado, Imanol Machuca, Joao Figueiredo, Jon Irazabal, Hector Hevel.
Të gjithë këta, të cilët më parë përfaqësonin Malajzinë, kanë marrë ndalime 12-mujore dhe janë gjobitur me 2,000 franga zvicerane secili.
Problemi ka të bëjë me eligjibilitetin e lojtarëve, me FIFA-n që dha verdiktin që në shtator. Sipas raportimeve të “ESPN”, lojtarët dyshohet se fituan shtetësinë malajziane duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Federata e Futbollit e Malajzisë (FAM) ka njoftuar që ka ndërmend të bëjë një apel formal, pasi është gjobitur me 350,000 franga zvicerane.
FIFA tha se FAM kishte falsifikuar certifikata lindjeje për të krijuar përshtypjen që gjyshërit e lojtarëve kishin lindur në Malajzi, gjë që sipas saj “përbën një formë të pastër dhe të thjeshtë të mashtrimit”.
“Paraqitja e dokumentacionit të falsifikuar me qëllim sigurimin e eligjibilitetit për të luajtur për një kombëtare përbën një formë të pastër të mashtrimit, që nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë,” tha FIFA në një raport të lëshuar të hënën.
“Një sjellje e tillë rrënon besimin në drejtësinë e garave dhe rrezikon vetë esencën e futbollit si një aktivitet i bazuar mbi ndershmëri dhe transparencë.”
FAM e ka cilësuar çështjen si një “gabim administrativ” dhe ka insistuar se lojtarët janë qytetarë legjitimë malajzianë.
Aktualisht, FIFA lejon lojtarët e lindur jashtë vendit të luajnë për vende ku të paktën një nga prindërit ose gjyshërit e tyre kanë lindur. Hetimi nisi pas fitores 4-0 të Malajzisë ndaj Vietnamit në qershor.
Nga shtatë lojtarët e pezulluar: 3 lindën në Spanjë, 2 në Argjentinë, 2 në Holandë, 1 në Brazil.
Sipas “BBC News”, ministrja e sportit të Malajzisë, Hannah Yeoh, tha se gjetjet e FIFA-s kishin një ndikim negativ në imazhin e vendit:
“Edhe pse FAM ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ishte një gabim teknik, një gabim i stafit të tyre, kjo duhet përmirësuar, sepse deklarata prej 19 faqesh përmban komente shumë serioze nga FIFA, që njollosin imazhin e vendit.”
“Tifozët janë të zemëruar, të lënduar dhe të zhgënjyer.”
Për shkak të pezullimeve, trajneri i Malajzisë, Peter Cklamovski, do të detyrohet të paraqesë një formacion të ndryshuar në ndeshjen ndaj Laosit.