Pas hatchbeckut Cross, arrin edhe versioni më praktik i Tipo për të gjitha terrenet.
Gjiganti italian Fiat ka ofruar Tipo Cross në versionin karavan, që do të gëzojë ata që u ka pëlqyer hatchbacku “crossover”, por që kanë nevojë për më shumë hapësirë, transmeton Telegrafi.
Kjo veturë është e bazuar në versionin standard Fiat Tipo SW, që është avancuar për të përmbushur nevojat e atyre që vozisin edhe jashtë asfaltit (apo thjesht kanë dëshirë të shëtisin nëpër terrene malore).
Vetura ka elemente mbrojtëse dhe shtesa dekoruese tipike për një model “cross”, e aty janë fellnet e aluminit prej 17-inç, që për 40 mm e ngritin më lart veturën sesa versioni standard. Shoferi ka në dispozicion edhe bagazhin e madh prej 550 litrave.
Fiat prezantoi Tipo Cross Station Wagon në edicionin special që bartë mbishkrimin RED, e njihet për nuancën e kuqe ndryshe e njohur si Passione Red.
Më vonë do të jetë i disponueshëm edhe në Colosseo Grey, Gelato White dhe Cinema Black, e të gjitha këto variacione të ngjyrave do të kenë në pjesën e jashtme të retrovizorëve ngjyrën e kuqe dhe disa detaje zbukuruese me po të njëjtën ngjyrë.
Përveç kësaj, është i pajisur me dritat LED si në pjesën e përparme ashtu dhe në atë të pasme. Fiat deri më tani nuk ka dhënë detaje për fuqinë motorike, por pritet të ketë të njëjtin sikurse në versionin “cross hatchback”.