Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me UEFA-n, ka mbajtur sot punëtorinë e parë mjekësore në nivel vendi, duke bashkuar në një forum të përbashkët mjekët e Superligës, Ligës së Parë, futbollit të vajzave dhe ekipeve kombëtare.
Ky aktivitet përbën një hap të domosdoshëm drejt forcimit të sistemit mjekësor brenda futbollit kosovar dhe vjen si vazhdimësi e projektit të FFK-së për kujdes të shtuar ndaj shëndetit të futbollistëve, pasi më parë janë dhënë donacion për klubet defribilatorët dhe është si pjesë e unifikimit të protokolleve me ato të UEFA-s, duke i përafruar ato me standardet më të larta evropiane.
Punëtoria u drejtua nga ekipi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës: Dr. Amir Vejseli, Mustafë Januzaj, Argjent Hoti dhe Skifter Imeri, të cilët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre profesionale, të fituara përmes programeve të avancuara të edukimit të UEFA-s.
Në fokus të ligjërimeve ishin temat kyçe që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e futbollistëve, përfshirë menaxhimin e atakut kardiak, trajtimin e lëndimeve cervikale, rëndësinë e fizioterapisë në fushën e futbollit, si dhe menaxhimin e lëndimeve të toraksit dhe ekstremiteteve.
Pjesa teorike u plotësua me ushtrime praktike, duke ofruar qasje konkrete për veprim në situata reale gjatë ndeshjeve dhe stërvitjeve.
Mbrojtja e shëndetit të futbollistëve është themel i zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit, ndaj ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve profesionale të stafit mjekësor mbetet një nga prioritetet strategjike të FFK-së.
Përmes kësaj punëtorie, synohet standardizimi i protokolleve mjekësore, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet mjekëve të klubeve dhe ekipeve zinxhir të kombëtares, si dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme për edukim të vazhdueshëm, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.






