Federata e Futbollit e Kosovës (FKK) është duke vazhduar me përkushtim traditën e organizimit të kampeve seleksionuese për talentët në diasporë. Kampi i radhës është duke u zhvilluar në Grunberg, afër Frankfurtit, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit Shqiptar në Gjermani.
FFK-ja ka njoftuar se interesimi për këtë kamp ka qenë jashtëzakonisht i madh, me një numër shumë të lartë aplikuesish. “Megjithatë, për t’i dhënë mundësi sa më shumë talenteve që të shfaqin potencialin e tyre, FFK do të organizojë shumë shpejt gjatë verës edhe një kamp tjetër seleksionues në Kosovë. Gjatë dy ditëve të para, në këtë kamp kanë marrë pjesë 23 vajza të grupmoshave 2009, 2010 dhe 2011. Ato kanë treguar përkushtim të madh dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të përfaqësuar Kosovën, duke reflektuar seriozitet në çdo segment të punës. Programi ka përfshirë një seancë stërvitore dhe një ndeshje testuese, ku janë evidentuar disa talente premtuese që pritet t’u shtohen listave të ekipeve kombëtare të vajzave në të ardhmen”, ka njoftuar FFK-ja.
Më tutje, FFK-ja ka njoftuar se aktivitetet kanë vazhduar edhe me fillimin e grumbullimit për gjeneratën 2011 të djemve, ku 25 futbollistë kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. “Për këtë grup është paraparë që nesër të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolluese, që do të shërbejë si mundësi shtesë për vlerësimin e tyre nga ana e trajnerëve të ekipeve kombëtare të grupmoshave. Kampi do të vijojë nesër pasdite me gjeneratën 2012, ku do të marrin pjesë 24 futbollistë. Pjesëmarrësit e këtij kampi vijnë nga klube të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, por ka talente edhe nga Austria dhe shtetet skandinave, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e madh që ka diaspora. Ky kamp seleksionues është një tjetër hap i rëndësishëm i FFK-së në identifikimin e hershëm të talenteve, por edhe në forcimin e lidhjes së tyre me fanellën dardane”, ka njoftuar FFK-ja.






