Në kuadër të këtij kursi, kandidatët do të ndjekin jo vetëm ligjërata teorike, por edhe punë praktike, monitorime në klube dhe në fund do t’i nënshtrohen provimeve përfundimtare.
Instruktori i UEFA-s, Frank Thieltges, vlerësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm për futbollin kosovar. “Për herë të parë në Kosovë kemi një licencë B për trajnerët e portierëve. Ky është një zhvillim që ndihmon në bashkëpunimin më të madh mes trajnerit të ekipit dhe trajnerit të portierëve. Është e rëndësishme që trajnerët e portierëve të jenë më të përfshirë në stërvitjet e ekipit dhe kjo është rruga e duhur përpara”, tha ai.
Ndërsa instruktori kroat, Tomislav Butina, u shpreh i impresionuar nga niveli i kandidatëve kosovarë. “Siç mund të shihet, në këtë kurs ka shumë përvojë dhe trajnerë të mirë nga Kosova, veçanërisht në rolin e trajnerëve të portierëve. Përparimi që arritën brenda vetëm dy ditëve ishte shumë më i madh sesa pritej. Mund të them se ky është një kurs shumë i suksesshëm”, tha ai.
Njëri nga pjesëmarrësit, Valmir Bytyqi, u shpreh i entuziazmuar për këtë mundësi. “Janë duke u shfaqur njohuri të reja dhe mënyra të punës shumë të evoluara me futbollin modern, ku pjesë e rëndësishme është edhe portieri. Jam shumë i lumtur që jam duke marrë pjesë në këtë kurs dhe tek të gjithë shihet një entuziazëm i madh. Ne jemi grupi i parë që ndjekim këtë kurs, i cili ka qenë shumë i nevojshëm dhe do të na shërbejë shumë në të ardhmen”, tha ai.
Ndërkohë, pjesëmarrësja tjetër, Diellza Musa, theksoi rëndësinë e përvojës së ndarë nga instruktorët. “Kam kënaqësinë që po dëgjoj përvoja nga instruktorë shumë profesionalë dhe besoj se këto instruksione do të na shërbejnë në punën tonë, qoftë me gjeneratat e reja, por edhe me ekipet profesionale”, tha ajo.
Ky kurs po vlerësohet si një hap i madh përpara në zhvillimin profesional të trajnerëve të portierëve në Kosovë dhe është pjesë e strategjisë së Departamentit të Edukimit në FFK drejt ngritjes së standardeve në futbollin e Kosovës