-0.4 C
New York
Wednesday, February 4, 2026

Buy now

FFK-ja nesër mban Kuvendin Zgjedhor, Agim Ademi pritet të rizgjedhet president

- Advertisement -

Nesër (e enjte) do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e presidentit të ri të kësaj federate.

Presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, është kandidati i vetëm në garë për t’u rizgjedhur edhe për një mandat të ri katërvjeçar për faktin se ka mbledhur shumicën e nënshkrimeve për ta drejtuar shtëpinë kryesore të futbollit në Kosovë.

Ademi është kryetar i FFK-së që nga viti 2018. Por, megjithëse nuk ka një kundërkandidat për kreun e FFK-së, Ademi është përballur me pengesa të mëdha nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përmes ministrit në detyrë, Hajrulla Çeku, MKRS-ja ka reaguar para disa ditësh pasi FFK-ja kishte caktuar 5 shkurtin datë për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.

Sipas MKRS-së, FFK-ja ende nuk i ka përmbushur obligimet e dala nga procesi i licencimit të vitit 2023, të dakorduara me UEFA-n, FIFA-n dhe vetë Ministrinë, përfshirë harmonizimin e Statutit me Ligjin për Sport dhe rregulloret përkatëse.

Lidhur me këtë çështje, në fund të muajit janar Çeku u kishte shkruar letër UEFA-s dhe FIFA-s kinse për parregullsitë në FFK për Kuvendin Zgjedhor të 5 shkurtit. Në të dy rastet, UEFA dhe FIFA i janë përgjigjur Çekut duke mos i dhënë të drejtë.

Në letrën e nënshkruar nga zyrtarë të lartë të FIFA-s e UEFA-s është konfirmuar se FFK-ja ka harmonizuar statutin e saj në përputhje të plotë me kërkesat e dy institucioneve kryesore ndërkombëtare të sportit dhe Ligjin për sportin, si dhe presin rizgjedhjen e Ademit në krye të FFK-së.

Nën drejtim e Ademit, Kombëtarja e Kosovës ka arritur rezultate historike, duke u kualifikuar për herë të parë në “play-off” për Kupën e Botës. Krahas kësaj, në mandatin e Ademit janë bërë investime të mëdha në infrastrukturën sportive.

Zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s do të jenë të pranishëm në Kuvendin e sotëm për të siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me Statutin e FFK-së, si dhe me statutet, rregulloret dhe parimet përkatëse të FIFA-s dhe UEFA-s.

Të ngjashme

Të fundit