8.9 C
New York
Friday, January 9, 2026

Buy now

FFK dhe UEFA organizojnë për herë të parë në Kosovë punëtori mjekësore për futbollin

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se dita ka nisur me një punëtori mjekësore të nivelit të lartë, e organizuar për herë të parë në Kosovë nga FFK-ja në bashkëpunim me UEFA-n.
Në këtë punëtori po marrin pjesë të gjithë mjekët e ekipeve të Superligës, Ligës së Parë, futbollit të vajzave, si dhe stafet mjekësore të ekipeve zinxhir të përfaqësueseve kombëtare të Kosovës.

Sipas Ademit, kjo iniciativë përbën një hap shumë të rëndësishëm drejt avancimit të standardeve mjekësore në futbollin e Kosovës, duke garantuar siguri më të madhe dhe përgatitje profesionale për futbollistët në të gjitha nivelet.

Ligjërimet dhe udhëheqja e pjesës praktike po realizohen nga ekipi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës, përkatësisht Dr. Amir Vejseli, Mustafë Januzaj, Argjent Hoti dhe Skifter Imeri, të cilët po sjellin përvoja konkrete dhe njohuri profesionale të fituara nga shkollimet sistematike dhe programet e avancuara të UEFA-s.

Punëtoria kombinon pjesën teorike me atë praktike, duke synuar rritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe unifikimin e protokolleve mjekësore në të gjitha kategoritë e futbollit në Kosovë.
Gjatë saj po trajtohen tema me rëndësi jetike për shëndetin dhe performancën e futbollistëve, përfshirë: atakun kardiak, lëndimet cervikale, fizioterapinë dhe rolin e saj në futboll, lëndimet e toraksit, si dhe lëndimet e ekstremiteteve.

“Shëndeti i futbollistëve është prioritet absolut për Federatën e Futbollit të Kosovës. Pa futbollistë të shëndetshëm nuk ka zhvillim dhe as suksese afatgjata”, ka theksuar Ademi, duke shtuar se investimi në edukimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe në protokolle moderne parandaluese është një përgjegjësi institucionale që FFK-ja e merr me seriozitet maksimal.
#bashkëpërfutbollin ⚽🚑

Të ngjashme

Të fundit