Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me reagim pas dhunës ndaj futbollistit Belgin Jashari, i cili rrëfeu detaje në një intervistë ekskluzive për Nacionalen.
FFK në një komunikatë për media ka thënë se ngjarje të tilla janë të papranueshme.
Komunikata e plotë:
Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari.
“Ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me sportin dhe vlerat që ne i kultivojmë si shoqëri: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor”, thuhet në reagimin e FFK.
“Futbolli është sporti që na bashkon. Fusha e gjelbër është vendi ku secili i ri duhet të ndihet i sigurt dhe i vlerësuar – pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë etnike”.
“FFK i qëndron pranë Belginit dhe çdo sportisti që përballet me padrejtësi të tilla. Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat e të gjithë futbollistëve tanë dhe, në vazhdimësi, punojmë për një ambient të lirë nga diskriminimi dhe paragjykimet.
Futbolli i Kosovës nuk lejon dhe nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo diskriminimi.
FFK, përmes programit Grassroots, gjatë tërë vitit zhvillon aktivitete gjithëpërfshirëse, ku një pjesë e konsiderueshme i kushtohet grupeve të margjinalizuara.
Belgini është pjesë e familjes së futbollit tonë.
Ai nuk është vetëm”!
FFK, në bashkëpunim me KF Fushë Kosova, gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë disa aktivitete në mbështetje të Belgin Jasharit, ndërsa ai do të vizitohet edhe nga presidenti Agim Ademi.
#MeBelginin #FutbolliPërTëGjithë #StopDiskriminimit
⚽️🇽🇰