Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar për intensifikim të propagandës dhe provokimeve të Serbisë në veri të Kosovës, përmes asaj që ai e quan “planet e Vidovdanit”.
Në një reagim publik në Facebook, Fetoshi theksoi se Serbia po përdor mekanizmat e luftës hibride, përfshirë “Listën Serbe” dhe portalin “Kosovo Online”, për të shtyrë përpara narrativa destabilizuese që synojnë nxitjen e tensioneve ndëretnike në veri të vendit.
“Përmes temave të fabrikuara si: ndërrimi i emrave të rrugëve në veri, gjoja detyrimi i fëmijëve serbë për të mbajtur flamuj të Kosovës apo shkatërrimi i shtëpive të serbëve, Serbia po mundohet ta paraqesë Kosovën si shtet që diskriminon serbët”, ka thënë Fetoshi.
Sipas tij, qëllimi i kësaj fushate është i dyfishtë: nga njëra anë, të demonizohen institucionet e Kosovës në sytë e opinionit ndërkombëtar, dhe nga ana tjetër, të mbahen nën presion qytetarët serbë lokalë për t’i nxitur në veprime provokuese ndaj rendit dhe sigurisë.
“Natyrisht, asgjë nuk është e rastësishme. Këto veprime dhe propagandë agresive janë të koordinuara nga qarqe të lidhura me Serbinë dhe synojnë rritjen e tensioneve në prag të Vidovdanit”, ka shtuar më tej Fetoshi, duke aluduar në 28 qershorin, një datë me rëndësi historike dhe simbolike për nacionalizmin serb.
Ai ka bërë thirrje për vigjilencë institucionale dhe përkrahje ndërkombëtare për të ndalur skenarët destabilizues që, sipas tij, vijnë nga Beogradi zyrtar.