Profesori i Universitetit të Prishtinës dhe drejtori i Institutit “Oktopus”, Arben Fetoshi, në emisionin “Speciale” në RTK ka deklaruar se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme tregojnë për një fazë të re dhe të avancuar të përpjekjeve izraelite për të neutralizuar kërcënimin më të madh ndaj sigurisë dhe ekzistencës së shtetit të Izraelit, programin bërthamor të Iranit.
“Nëse dy vitet e fundit kemi parë një luftë intensive të Izraelit ndaj Hamasit në Gaza, tash po përballemi me një nivel tjetër të operacioneve, sulme të drejtpërdrejta, të sofistikuara dhe jashtëzakonisht precize, të cilat synojnë pikërisht neutralizimin e kapaciteteve bërthamore iraniane”, ka thënë Fetoshi.
Ai shtoi se ende mbetet e paqartë për publikun ndërkombëtar nëse Irani tashmë posedon armë bërthamore, por për Izraelin, vetë ekzistenca e këtij potenciali paraqet një kërcënim serioz.
“Situata aktuale na lejon të flasim jo vetëm për një dobësim të Hamasit, por edhe për një dobësim gradual të Hezbollahut si pjesë e të njëjtit bosht kërcënues për sigurinë izraelite,” ka shtuar ai.