Arben Fetai, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në një intervistë për RTK deklaroi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunim shumë të mirë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer.
Ai tha se dy vendet, pas pikave kufitare të përbashkëta në Han të Elezit dhe Glloboqicës do të ketë edhe pika të tjera që do të jenë të përbashkëta në rajonin me Gjilanin.
“Ligji për përfaqësim adekuat përbën një nga katër shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit e cila përmbante çështjen e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucionet e shtetit në sektorin publik, pastaj çështjen e gjuhës, e decentralizimit, te policisë , etj, e që kishte afat dyvjeçar për zbatim, pra do të duhej të zbatohej më së voni në vitin 2023”, tha Fetai.
Fetai u shpreh kritik ndaj BDI-së për moszbatim të këtij ligji për më shumë se dy dekada, teksa tha se ndihet krenar që personalisht i prirë në miratim të këtij ligji në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
“Për herë të parë, 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, po mbrojmë të drejtat tona me Ligj për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat, të mbështetur nga mekanizma të qartë për zbatim dhe mbikëqyrje politike”, deklaroi Fetai, duke sqaruar përmbajtjen e ligjit në fjalë si në përfaqësim proporcional i të gjitha bashkësive në institucionet publike; për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ku çdo ligj që prek përfaqësimin e drejtë dhe adekuat do të harmonizohet brenda 6 muajve.
Fetai më tej sqaroi se në përfaqësimin adekuat në Maqedoninë e Veriut është rreth 21% e shqiptarëve në institucionet publike, por sipas tij, në këtë vend ka institucione që nuk ka shqiptarë, me fjalë ka sektorë që janë monoetnike, sidomos në sektorin e sigurisë. “Të gjitha njësitë elitare të sigurisë janë monoetnike maqedone”, nënvizoi Fetai.
“Maqedonia e Veriut është vend multietnik dhe institucionet tona duhet të përfaqësojnë këtë në nivel të përgjithshëm por edhe në secilin institucion veç e veç, si në nivel horizontal, ashtu edhe në nivel vertikal”, theksoi Fetai.
Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare
Fetai lidhur me gjuhën shqipe tha se është gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, por nënvizoi se është një përjashtim i vogël që nuk ekziston në asnjë vend të Evropës, një dispozitë kushtetuese ku parashihet që në marrëdhëniet ndërkombëtare vetëm maqedonishtja është zyrtare.
Ai më tej vuri në dukje historikun e ligjit për gjuhët, duke u amendamentuar 3-4 herë dhe versioni i tanishëm i ligjit për gjuhët është miratuar në vitin 2017, derisa u shpreh kritik në përpjekjet e qeverisjes së përparshme në mënyrë parciale dhe neglizhuese.
“Por me rotacionin e pushtetit, u hap në lëndë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, bazuar ne vërejtjet e Venecias dhe filloi njëfarë shou, nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe nga BDI, për të thënë se po rrezikohet gjuha shqipe, se Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë ligjin për gjuhët por kjo nuk ndodhi, sepse ne punuam në ‘background’”, tha Fetai.