Të izoluar dhe larg familjarëve, banorët e “Big Brother VIP” kanë festuar me njëri-tjetrin në natën e ndërrimit të viteve. Ata organizuan një spektakël modest, me këngë, pjesë aktrimi, humor e kërcim.
Gjatë darkës së shtruar në tryezën e oborrit, banorët kanë uruar njeri-tjetrin dhe në mbyllje të festës, ata kanë marrë një surprizë të bukur.
Ata u surprizuan nga familjarët e tyre, të cilët i kanë uruar banorët nëpërmjet videove të shkurtra ku i përshëndesin nga tryeza e tyre në tryezën e banorëve.
Të gjithë konkurrentët janë përlotur teksa dëgjonin urimet e përzemërta nga familjarët e tyre që këtë vit, ndryshe nga çdo herë tjetër, janë ndodhur larg tyre.
Megjithatë, malli e emocione të tilla janë të kuptueshme, sidomos tani që shumë prej tyre kanë kaluar rreth dy muaj, krejtësisht të izoluar nga realiteti.