Kreu i sindikatës më të madhe të fermerëve në Francë, FNSEA, konfirmoi mbrëmjen e kësaj të premte se protestat do të vazhdojnë, pavarësisht njoftimeve të mëparshme të kryeministrit që premtoi zbatimin e planeve për përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës për fermerët.
“Ajo që u tha sonte nuk e qetëson zemërimin, duhet bërë më shumë”, tha Arnaud Rousseau për kanalin televiziv francez TF1. “Kemi vendosur të vazhdojmë mobilizimin”, shtoi ai.
Më herët, qeveria franceze braktisi planin e saj për të hequr subvencionet shtetërore për karburantin bujqësor pasi fermerët rrethuan Parisin dhe kërcënuan të hynin në kryeqytet me traktorët e tyre.
Megjithatë, Rousseau tha se premtimet e bëra nga kryeministri Gabriel Attal “nuk i plotësuan të gjitha pritjet tona”, megjithëse në disa fusha, si në çështjen e karburantit “ato janë në drejtimin e duhur”.
Vazhdimi i mobilizimeve ishte “një vendim i vështirë por i domosdoshëm”, përfundoi ai.