Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21 prill.
Për këtë Sadri Ferati, ish-ministër i Pushtetit Lokal tha se Lista Serbe, edhe një herë po e demonstron sjelljen destruktive në raport më të gjitha proceset e serbëve të Kosovës. Kjo parti, sipas Feratit, është nxitë nga Vuçiq dhe politika e Beogradit me qëllim që mos të ketë normalizim të raporteve të situatës në veri.
Ferati shtoi se votimi mund të ndodhë ashtu siç është paraparë me datën 21 prill dhe të konstatohet, ngase Lista Serbe, mund ta ketë edhe një rrethanë objektive nga që është një numër i madh i votuesve që nuk jetojnë në Kosovë ose edhe mund të ketë lista të fryra tepër shumë.
Dhe arsyeja e dytë, siç tha ish-ministri, mund të jetë edhe humbja e ndikimit që ata mund ta kenë eventualisht ngase akterët kryesorë që kanë ushtruar dhunë, si çështja e Radojqiqit dhe shumë të tjerëve, nuk janë në Kosovë.
Me mungesën e këtij grupi, eventualisht sipas Feratit, mund të ketë një liri të votimit më të madhe tek qytetarët, dhe “ne e dimë se në atë rast qytetarët nuk do t’i nënshtrohen direktivave të Listës Serbe”.
Sipas tij, Listës Serbe, e pengon normalizimin e jetës në veri, fuqizimin e institucioneve, sepse siç tha ai, çdo normalizim nënkupton dobësim pozitat e tyre.
Ai shtoi, se dëshira e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, është që të ketë progres, dhe që institucionet e Republikës së Kosovës të bëjnë gjithçka që është e mundshme, që të ketë përparim në veri. Me këtë rast ai kërkoi nga SHBA e Be të bëjnë më shumë presion ndaj Beogradit për këtë bojkot.