Deputeti Ferat Shala ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar në Drenas dhe në disa komuna të tjera të vendit si pasojë e vërshimeve, duke theksuar nevojën për angazhim serioz institucional dhe qeveritar, raporton Scanner.
Sipas tij, situata kërkon një plan konkret që nuk duhet të kufizohet vetëm në menaxhimin e emergjencës, por edhe në rehabilitimin e zonave të prekura, përfshirë infrastrukturën e dëmtuar, si dhe mbështetje financiare për familjet dhe bizneset që kanë pësuar humbje.
“Mbi të gjitha, nevojiten investime serioze në sistemet e menaxhimit të ujërave, në mënyrë që situata të tilla të parandalohen në të ardhmen,” ka theksuar Shala.
Ai ka vlerësuar gjithashtu lart solidaritetin qytetar, duke theksuar se edhe kjo situatë e vështirë tregoi forcën e bashkimit dhe humanizmit në shoqëri.
“Banorë, vullnetarë, zjarrfikës, ekipe të emergjencës dhe organizata të ndryshme u mobilizuan pa hezitim për të ndihmuar ata që kishin më shumë nevojë. Angazhimi i tyre meriton falënderim të veçantë dhe respekt të thellë,” është shprehur Shala.






