19.1 C
New York
Tuesday, August 19, 2025

Buy now

Ferat Shala: Qeveria po i dëmton bizneset për t’i bërë të dëgjueshme

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka nisur nga 16 gushti shkyçjen nga rrjeti të bizneseve që nuk kanë lidhur kontratë me furnizues në tregun e hapur të energjisë, si pjesë e vendimit për liberalizimin që hyri në fuqi më 1 qershor 2025.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një prononcim për Front Online, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po trajtohen bizneset në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë.

“Bizneset janë para një situate tepër të rëndë ekonomike, financiare, nga goditja që po i bëhet në mënyrë të padrejtë nga institucionet e shtetit, gjegjësisht nga qeveria. Ky ka qenë edhe synimi, edhe plani i qeverisë Kurti për t’i dëmtuar deri në këtë shkallë bizneset në mënyrë që ato të jenë të dëgjueshme dhe të kontrollueshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e lirë është ndërmarrë pa përgatitje ligjore, pa analiza të thella. Ai paralajmëroi se kjo qasje do të ndikojë drejtpërdrejt në humbjen e shumë vendeve të punës.

“Diçka e tillë nuk ka ndodhur në historinë ekonomike të Kosovës, ku pa u përgatitur situata legjislative mirë, pa u përgatitur terreni për liberalizim, pa krijuar alternativa të mjaftueshme dhe bazë të mirë ligjore, po nxirren dhunshëm, në mënyrë arbitrare bizneset në tregun e lirë, kjo do të reflektojë me humbjen e shumë vendeve të punës”, ka deklaruar Shala.

Ai ka akuzuar qeverinë për dështim total në sektorin energjetik gjatë pesë viteve të fundit.

“Qeveria tashmë ka dështuar, në mënyrë të qartë në gjithë sektorin energjetik, sepse qeveria për pesë vite rresht, nuk ka arritur ta rrisë prodhimin vendor për asnjë megavat”, ka thënë ai.

Të ngjashme

Të fundit