Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Ferat Shala, ka përkujtuar dëshmoren e kombit, Lulja Shalën, e cila kishte rënë heroikisht së bashku me komandantin Mujë Krasniqi, të fejuarin e saj Hysen Bujupi dhe shumë luftëtarë të tjerë të lirisë.
Shala ka kujtuar ditën kur ishte nisur për të marrë armatim në Shqipëri.
“Prapa tyre ishte fshehur edhe Luljeta që mos ta shihja unë. E pashë dhe e luta të mos nisej. Ishte vajzë e re, 21 vjeçare. Kalimi i kufirit ishte rrugë jashtëzakonisht e vështirë, sidomos në acarin e dhjetorit. Pos rrezikut të përhershëm për të rënë në pritat e armikut, vetë terreni dhe udha ishin tejet të papërshtatshme për ta bërë në këmbë e të ngarkuar me armatim. Luljeta s’mu drejtua me ‘komandant’, siç bënin ushtarët e tjerë. Më tha, ‘bac, mos më lut se për me luftu kam ardhë e nuk kthehem’”, ka shkruar Shala në Facebook.
Postimi plotë:
Luljetën e njihja familjarisht. Me axhën e saj, Hafir Shalën, kisha qenë bashkëveprimtar që nga ditët e organizimit ilegal e tutje. Kur po niseshin ushtarët në Shqipëri për t’u furnizuar me armatim, ato ditë dimri të vitit 1998, shkova t’i numëroja edhe një herë.
Prapa tyre ishte fshehur edhe Luljeta që mos ta shihja unë. E pashë dhe e luta të mos nisej. Ishte vajzë e re, 21 vjeçare. Kalimi i kufirit ishte rrugë jashtëzakonisht e vështirë, sidomos në acarin e dhjetorit. Pos rrezikut të përhershëm për të rënë në pritat e armikut, vetë terreni dhe udha ishin tejet të papërshtatshme për ta bërë në këmbë e të ngarkuar me armatim. Luljeta s’mu drejtua me “komandant”, siç bënin ushtarët e tjerë. Më tha, “bac, mos më lut se për me luftu kam ardhë e nuk kthehem”.
Ata u nisën. Në rrugën e mundimshme të kthimit, të furnizuar me armatim, në Likenet e Hasit, Lulja 21 vjeçare ra në lulen e rinisë, së bashku me komandant Mujë Krasniqin, me të fejuarin e saj, Hysen Bujupin dhe me bashkëluftëtarët e tjerë. Kufiri që na kishte ndarë për një shekull, po shkërmoqej nga gjaku i dëshmorëve.
Kujtime e lavdi për Lulen si një vajzë plot jetë e gjallëri, idealizëm e trimëri.