Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, në mesin e shumë bashkatdhetarëve ka qëndruar të dielën në odën e Sadri Shalës.
Me këtë rast, Shala ka thënë se shtëpia e Sadri Shalës “nuk ishte vetëm një strehë, por ishte djepi i qëndresës dhe shpresa jonë për një të ardhme më të mirë”.
“Sa herë që kthehem në odën e Sadri Shalës në Kleçkë, zemra më mbushet me mall dhe kujtime të paharrueshme nga ato ditë të lavdishme të luftës sonë për liri. Kjo shtëpi nuk ishte vetëm një strehë, por ishte djepi i qëndresës dhe shpresa jonë për një të ardhme më të mirë. Çdo cep i saj ruan gjurmët e bisedave, vendimeve dhe përbetimeve tona për Kosovën”.
“Kur takova sërish bashkëluftëtarët e mi, zemra m’u mbush me mall për ata që nuk janë më në mesin tonë. Nderimi më i thellë shkon për familjen e Sadri Shalës, që hapi dyert e zemrës dhe shtëpisë për luftën, si dhe për të gjithë ata që dhanë gjithçka, madje edhe jetën, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Shala në Facebook.