Deputeti i rizgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për besimin që ia kanë dhënë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai ka thënë se kjo mbështetje është nder dhe përgjegjësi për të.
Në këtë kontekst, ai është zotuar se do të punojë për të mirën e vendit, pavarësisht pozicionit që do ta ketë.
“Jam jashtëzakonisht falënderues për 26,241 njerëz anekënd Kosovës, edhe në diasporë, për besimin e dhënë që të jem sërish deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky është një nder dhe përgjegjësi, që të jem në krye të detyrës sime për të përfaqësuar interesat e popullit për një jetë më të mirë, për demokraci të shëndoshë, liri të shprehjes, ekonomi të zhvilluar, energji që prodhon dhe arsim që edukon. Në çdo detyrë timen, e në veçanti si deputet, jam përpjekur të jap angazhim maksimal. Njëjtë do të veproj edhe në këtë mandat. Falënderoj secilin aktivist të Partisë Demokratike që u angazhua maksimalisht në këto zgjedhje për ta forcuar partinë që përfaqëson vlerat historike për shtet, vlerat e punës, dijes dhe vizionit për të ardhmen. Falënderoj në veçanti çdo aktivist që më besoi dhe më mbështeti edhe në këto zgjedhje. Nuk do të jetë aspak kohë e lehtë për Kosovën. Por, duke punuar me nder dhe përgjegjësi, mund të bëjmë gjëra të mira për vendin, pavarësisht pozicionit”, ka shkruar Shala në “Facebook”.