Finalja e Superkupës së Turqisë përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, me “Fenerët e Verdhë”, të Fenerbahce, që vendosën të largohen nga fusha që në minutën e 3′-të, të sfidës, pasi Mauro Icardi kishte kaluar në epërsi “Luanët” e Galatasaray, pas vetëm 49 sekondash, nga rënia e bilbilit të arbitrit kryesor.
Fenerbahce kishte vendosur të fuste në fushë ekipin U-19, një vendim i marrë në konflikt me Federatën pas incidenteve në transfertën e Trabzonspor dhe gjithashtu pas kërkesës së pasuksesshme për ta shtyrë ndeshjen, duke qenë se ishin ende në fazën e gruepve, të UEFA Confernece League, si dhe për ta luajtur me një gjyqtar të huaj.
Mirëpo Federata nuk e pranoi diçka të tillë, duke krijuar jo pak pakënaqësi, te “Fenerët” dhe për të mos mjaftuar e gjithë kjo, rivalët historikë të Galatasaray, për ta bërë situatën edhe më “tragjikomike”, festuan në fushë sikur gjithçka të kishte ndodhur rregullisht.
Dy rivalët e mëdhenj të kampionatit duhej të përballeshin 29 dhjetorin e kaluar në Riad, por ndeshja nuk u luajt për shkak të një incidenti diplomatik mes Turqisë dhe vendit që duhej të organizonte eventin, teksa kriza u krijua nga vendimi i autoriteteve arabe për të mos lejuar në fushë pankarta dhe bluza me referenca për themeluesin dhe presidentin e parë të Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturk.