Home Lajme Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e quan skandaloz arrestimin e mjekëve në Spitalin e Prizrenit

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e quan skandaloz arrestimin e mjekëve në Spitalin e Prizrenit

0
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e quan skandaloz arrestimin e mjekëve në Spitalin e Prizrenit

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e ka cilësuar skandaloz arrestimin e tre mjekëve në Spitalin e Prizrenit, si të dyshuar për rastin e vdekjes së një foshnje të porsalindur.

FSSHK-ja e ka thënë se mjekët e arrestuar po ballafaqohen me cenim dinjiteti, degradim e linçim publik.

“FSSHK në asnjë rrethanë nuk tenton të ndërhyjë në procedurat gjyqësore/prokuroriale por arrestimi i profesionistëve shëndetësor pas denoncimit të rastit pa u kryer ekspertiza mjeko-ligjore është SKANDALOZ. Mjekët të cilët edhe gjatë festës i kanë lënë familjet e tyre për t’i shërbyer qytetarëve, ata të cilët në historikun e tyre profesional nuk kanë asnjë vërejtje, sot po ballafaqohen me cenim të dinjitetit, degradim e linçim publik”, thuhet në reagim të FSSHK-së.

Sipas FSSHK-së, “zgjidhjet e rasteve nuk fillojnë me arrestime”, prandaj kjo federatë sindikale ka kërkuar që mjekët të lirohen.

“Ngjarje të tilla ndikojnë edhe më shumë në uljen e besueshmërisë së qytetarëve për trajtim në sistemin publik shëndetësor, por edhe marrjen e shërbimeve shëndetësore nga profesionistët shëndetësor”, thuhet në reagim.

Tre mjekë u arrestuan të martën nën dyshimin se nuk kanë intervenuar me kohë te një foshnje e porsalindur dhe kanë tentuar të fshehin provat, pas vdekjes së saj.

Exit mobile version