FC Prishtina 01 ka mbyllur rrugëtimin e saj në edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve, pas humbjes në ndeshjen e kthimit ndaj FC Riga me rezultatin 8-1 në Letoni.
Golin e vetëm për skuadrën kosovare e realizoi Shefki Kameri në pjesën e dytë të takimit, ndërsa mungesa e lojtarit kryesor Drilon Maxharraj u ndje dukshëm, pasi ai kishte qenë vendimtar gjatë gjithë fazës së grupeve dhe në ndeshjen e parë në Prishtinë.
Takimi i parë, i zhvilluar në kryeqytet, përfundoi 3-3, duke e mbajtur gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Megjithatë, përkundër eliminimit, FC Prishtina 01 vazhdon të konsolidojë pozicionin e saj si një nga klubet më të forta të futsallit në Evropë, duke arritur të hyjë mes 16 ekipeve më të mira kontinental.
Ky sukses tregon rritjen e vazhdueshme të klubit dhe avancimin e nivelit të futsallit kosovar, duke vendosur standarde të reja për ekipet e tjera në vend.
Klubi në fund ka falenderuar të gjithë tifozët për përkrahjen e tyre gjatë rrugëtimit europian dhe synon të vazhdojë përpjekjet drejt sukseseve të reja në edicionet e ardhshme.





