-8.7 C
New York
Sunday, January 25, 2026

Buy now

“Fatura djeg më shumë se rryma”: Qytetarët dhe bizneset të ngulfatur nga shtrenjtimi i rrymës

- Advertisement -
Rritja e për çdo cent të çmimit të energjisë elektrike po konsiderohet afekt direkt i xhepit të qytetarëve dhe kostos së jetesës së tyre.

“Çdo rritje e mundshme e tarifave të energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt te bizneset që nuk janë akoma pjesë e tregut të liberalizuar të energjisë. Përvoja me kompanitë që janë detyruar të kalojnë në tregun e liberalizuar ka treguar qartë një ndikim të madh negativ në operimin e tyre, për shkak të kostove shumë më të larta dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve. Në këtë kontekst, çdo rritje shtesë e tarifave do ta vështirësojë edhe më tej veprimtarinë e bizneseve që aktualisht janë në tregun e rregulluar. Pasojat përfundimtare do të reflektohen në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, kosto që në fund do të bartet nga konsumatorët. Njëkohësisht, shumë biznese mund të detyrohen të reduktojnë investimet e tyre dhe, në rastin më të keq, edhe numrin e vendeve të punës.”, u shpreh Zeka për Metro.

Si pasojë e krizës energjike në vend bizneset po përjetojnë dëme të mëdha e thotë edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulëzim Rafuna.

“Edhe ruajtja e energjisë elektrike është në rregull të bëhet si ftesë, por duhet pasur parasysh se biznesi nuk është fajtor pse nuk është investuar në rrjetin e KOSTT-it ose në rrjetet e tjera të KESCO-s, të KEDS-it e të KEK-ut. Nuk është biznesi fajtor. Qeveria duhet ta thërrasë KEK-un, KEDS-in, ZRRE-në, KOSTT-in dhe të bisedojë se ku është problemi dhe të kërkojë prej tyre që biznesi të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike, se si e menaxhojnë dhe qysh është çështje e tyre. Biznesi, përkundër që kemi kërkuar një fazë tranzicioni, sepse e kemi ditur qysh në muajin qershor, kur na është thënë të dalim në tregun e lirë, që nuk është i përgatitur tregu i lirë e as nuk janë pjekur kushtet me i nxjerrë bizneset në tregun e lirë, dhe që atëherë kemi kërkuar fazën e tranzicionit sepse e kemi ditur që kemi me ardhë në këtë fazë”, ka deklaruar Rafuna.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa në një konferencë për media ka thënë se Kosova po përballet me një krizë serioze energjetike.

Sipas tij, si pasojë e kësaj situate, siç u shpreh ai, sot prindërit, të moshuarit e bizneset po ndihen të pasigurt.

“Po flasim në emër të prindërve që sot po përpiqen t’i mbajnë fëmijët ngrohtë dhe në emër të të moshuarve, bizneseve që po e ndjejnë pasigurinë e kësaj situate. Kosova po përballet me një krizë serioze energjetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht, është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar nga kjo qeveri. Sot koston po e paguajnë qytetarët e Kosovës”.

“Përveç dështimit për të prodhuar energji, Kosova e ka rritur ndjeshëm importin, i cili po bëhet me kosto të lartë në dëm të Kosovës, dhe kjo barrë po bie mbi qytetarët tanë, të cilët janë ballafaquar me rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike. PDK shpreh solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët që po përballen me reduktime dhe temperatura të ulëta”, ka thënë ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, për FrontOnline, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e furnizimit me energji elektrike dhe pasojat që, sipas saj, kjo situatë po i shkakton qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, duke theksuar se kriza energjetike po thellon pabarazinë sociale.

Ymeri ka deklaruar se mungesa dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike po i prek të gjithë qytetarët, por goditjen më të madhe po e marrin shtresat më të cenueshme të shoqërisë.

“Preken të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, por më së shumti ata me të ardhura të ulëta, familjet me ndihmë sociale, të moshuarit dhe të papunët. Varfëria energjetike ka qenë prezente prej kohësh, por kjo rritje do ta thellojë më tej ndarjen mes atyre që mund t’ia lejojnë vetes ngrohjen dhe atyre që do të detyrohen të zgjedhin mes bukës dhe faturës”, ka thënë Ymeri.

Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri,  ka vlerësuar se kriza aktuale energjetike në Kosovë dhe mungesa e energjisë elektrike, veçanërisht për bizneset, nuk janë pasojë e mungesës reale të rrymës, por e dështimit shtetëror dhe keqmenaxhimit ndër vite.

Sipas Muhaxherit, institucionet kanë improvizuar për një periudhë të gjatë, duke heshtur për problemet strukturore dhe duke u mjaftuar me premtime, ndërsa sot pasojat po i bartin qytetarët dhe sektori privat.

“Terri energjetik është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit shtetëror, jo e mungesës së rrymës. Me vite është improvizuar, është heshtur dhe janë shitur premtime, ndërsa sot qytetarët dhe bizneset po e paguajnë çmimin’’, ka deklaruar Muhaxheri.

Besnik Vasolli, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Kosovaro Gjermane e ka quajtur jo të rastësishme krizën momentale të energjisë.

“Por kjo nuk është një krizë e rastësishme. Është rezultat i një zinxhiri të gjatë keqvendimesh dhe neglizhencash dhe rezultat i vizionit afatgjatë qe ka munguar tash e 20 vite rresht. Për më shumë se dy dekada, nuk është ndërtuar asnjë strategji e qëndrueshme për zhvillimin e sektorit të energjisë. S’janë ndërtuar kapacitete të reja prodhuese, nuk është bërë një miks energjetik që do të siguronte pavarësinë tonë duke shfrytëzuar burimet që i kemi me bollëk: thëngjillin, erën, diellin, ujin. Në vend të kësaj, kemi parë vendime të gabuara për privatizim, mungesë vizioni dhe një qasje të paqartë karshi së ardhmes energjetike.”/gazetametro.net/

Të ngjashme

Të fundit