Faton Ahmeti, është emëruar ushtrues detyre në pozitën e kryeshefit në bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”.
Ahmeti, deri tani kishte mbajtur pozitën e zëvendëskryeshefit, teksa emërimi i tij ka ardhur pasi që vendimi për emërimin e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit u anulua më 23 korrik nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, pas ankesës që kishte bërë kundërkandidatit Burim Asllani, i cili pretendoi se ishin bërë parregullsi në procesin e përzgjedhjes nga Bordi.
“APROVOHET kërkesëpadia e paditësit Burim Asllani nga Mitrovica, ne tërësi si e bazuar, ANULOHET vendimi i datës 11.01. lit 243 i Bordit të Përkohshëm”.
“DETYROHET e paditura Trepça Sh.A – t’ia paguaj paditësit shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë të përgjithshme prej 358.8 euro (me fjalë: treqind e pesëdhjetë e tete euro e tetëdhjetë cent), të gjitha në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm”, thuhej në dokumentin e Gjykatës.
Minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e 24-të grevës për shkak të mosekzekutimit të pagave dhe shujtave ushqimore.
Përfaqësuesit e minatorëve të Trepçës kanë potencuar se ka pasur shitje në “Trepçë” gjatë këtij viti, prandaj e kanë parë të paarsyeshëm mosekzekutimin e pagave.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar të enjten në një deklaratë për shtyp se përkrahja financiare për ndërmarrjen “Trepça” varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.
Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.
Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.
Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.
Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.
Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.