Nuk kanë ndërmend të mbeten kaq shpejt pa të.
Drejtuesit e Interit vazhdojnë t’i bëjnë llogaritë me Kristian Asllanin në ekip, ndonëse kjo situatë mund të ndryshojë në verë.
Mediat italiane raportuan pa lëkundje se klubi lombard hodhi poshtë ofertën e Uest Hemit për ta marrë yllin kuqezi në huazim, ose për t’ia blerë kartonin për fare.
Trajneri Simone Inzagi disa herë e ka vlerësuar dhe e ka mbrojtur nga kritikat, ndërsa 22-vjeçari arriti në gati 900 minuta aktivizim, ndërsa vjet gjatë gjithë sezonit pati diçka më shumë se 1 000.
Kjo flet shumë, por gjithsesi, nuk jep siguri të plotë se Asllani do të mbetet zikaltër në korrik.
Në vjeshtë dhe tani në janar, mediat në Apenine dhe portalet sportive të lidhura me tifozët zikaltër, kanë shkruar dhe komentuar se Bepe Marota ka zgjedhur kapitenin e Torinos, Samuele Riçi, si zëvendësues të Çalhanoglusë, rol që për momentin e luan shqiptari.
Një operacion që mund të arrijë deri në 35 milionë euro, nga të cilat 20 milionë euro vlerësohet kartoni I mesfushorit të kombëtares sonë, dhe 15 milionë euro është shuma që Interi është gati të paguajë.
Pra, e ardhmja e Asllanit mund të jetë tek Torino.
Ndërkaq, futbollisti duket se ka vendosur të përqëndrohet tek stëvitja dhe loja, jo te komentet për verën që vjen.
Në ndeshjen ndaj Monakos në Champions, fituar 3-0, ai luajti titullar dhe nuk zhgënjeu.
Lojtari shqiptar nuk ishte më I vlerësuari në mesjavë, por gjithsesi, nota ishte pozitive, dhe komentet inkurajuese.
Nuk është pak të marrësh 6 apo 6.5, dhe diçiturën “administroi mesfushën zikaltër pa vështirësi”, ndërsa luan në krah të Barelës, Mkitarianit, Dimarkos, Lautaro Martinezit, Turamit apo holandezit Damfris.
Kështu shkruajtën “Eurosporti”, “Skaj Sporti” apo “goal.com”.
Sido që të jetë e ardhmja, rëndësi ka fakti se Asllani po e kalon provën e zjarrit dhe po e provon veten të rëndësishëm për një ekip të madh si Interi./abcnews.al