Flamurtari është bërë me trajner të ri. Pas largimit të Liridon Lecit, klubi nga kryeqyteti ka njoftuar angazhimin e Faruk Statovcit si shef i shtabit teknik.
Statovci vjen pas aventurës së hidhur në edicionin e kaluar me klubin e Phoenixit në Ligën e Parë, me të cilin e mbylli sezonin në pozitën e fundit.
E klubi i Flamurtarit e njoftoi emërimin e Statovcit përmes një postimi në Facebook, ku edhe njoftoi se në fillim të javës së ardhshme nis faza përgatitore.
Postimi i plotë i tyre, pa ndërhyrje:
Faruk Statovci – timonier i ri i Flamurtarit
Klubi Futbollistik Flamurtari komunikon arritjen e bashkëpunimit me Faruk Statovcin për sezonin vijues.
Emërimi i Statovcit si shef i shtabit teknik vjen si proces i nismës së projektit për rikthimin e klubit në nivelet më të larta sportive dhe puna e suksesshme ndër vite është vlerësuesi më i mirë për teknikun Statovci.
Fillimi i fazës pregaditore në fillim të javës që po vjen shënon edhe fillimin e etapës së Statovcit në klub.
Të gjithë në KF Flamurtari i urojnë mirëseardhje Statovcit dhe stafit të tij, duke u dëshiruar njëherit shumë suksese.