Një familjare e dizenjatorit të ndjerë, Festim Isufi, ka mohuar kategorikisht që ai të ketë kryer vetëvrasje.
Ajo tha se familja nuk ka pranuar ende raportin zyrtar të autopsisë, ndërsa theksoi se të gjitha informacionet që kanë marrë deri tani, i kanë mësuar përmes mediave.
“Absolutisht jo, nuk i ka dhënë fund jetës së tij. Festimi që e njohim ne, kjo është krejt e dyshimtë. Me 7 plagë është e pamundur të kryhet vetëvrasje, përmes mediave e kemi kuptuar sepse ne s’kemi pranuar ende asnjë raport,” – tha ajo në Kosova Today
Familjarja reagoi edhe ndaj mënyrës se si është trajtuar rasti publikisht.
“Më e rënda është që është trajtuar në mënyrë të keqe dhe janë thënë shumë fjalë që nuk kanë përkit me karakterin dhe dinjitetin e tij. Vetëvrasja që është thënë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë për neve, por në të njëjtën kohë edhe dhuna që është përmendur ndaj bashkëshortes – po na del që nuk është e vërtetë.”
E pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt me Rina Maloku-Isufin, bashkëshorten e të ndjerit, ajo tha se nuk ka komunikuar me të personalisht.