13 C
New York
Wednesday, April 23, 2025

Buy now

Familjarët rikujtojnë heroizmin e dëshmorëve në Koshare, dhimbjen e mbajnë në zemër

- Advertisement -
Prishtinë | 09 Pri 2025 | 11:07 | Nga Gzim Mujaj

Kosharja, vendi ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar dhe u shkrua një nga faqet më të lavdishme të luftës së UÇK-së, sot kujtohet me krenari dhe me lot në sy nga familjarët e dëshmorëve, raporton Ekonomia Online.

Në 26-vjetorin e kësaj beteje, zërat e familjarëve të dëshmorëve rikujtojnë jo vetëm heroizmin, por edhe dhimbjen që mbajnë në zemër prej dekadash.

“Nuk na ka treguar se ku po shkon, na tha po shkoj në Gjermani…”, kështu nis rrëfimin Xhemile Qelaj, motra e dëshmorit 19 vjeçar Rifat Qelaj, i cili ra dëshmor në ditën e parë të Betejës së Koshares.

Ajo tha se ai në Gjermani është organizuar me shokët atje edhe ka ardhur për të luftuar në Koshare.

“Rifati ka qenë shumë i ri, ka pasur dëshirë që të shkojë në UÇK, po nuk e merrnin ata. Dëshironte të shkojë në Shqipëri. U mërzit. Thoshte nuk po më lënë të shkojë. Unë burrin e kam pasur ushtar, më thoshte me bë një emblemë të UÇK-së ta vendosi. Neve na ka mashtruar, tha dua të shkoj për Gjermani, sepse i kam pasur dy vëllezër në Gjermani. Është nisur për Gjermani, nuk ka qëndruar atje. Në Gjermani është organizuar me shokët atje edhe ka ardhur për Koshare këndej. Ne nuk e kemi ditur”, tha ajo.

Disa ditë para se të binte dëshmor, Rifat Qelaj, kishte shkuar në fshat për të kërkuar të afërmit, pasi shumë kushërinj i ishin vrarë në masakrën e Izbicës. Ajo tha se aty kishte shpërthyer dhimbja e tij dhe vendosmëria për të luftuar.

“Dy ditë pa u vrarë ka shkuar për të na kërkuar në fshat se aty kanë vrarë në Izbicë shumë mixhallarë. Aty është mërzitur shumë, ka thënë se i pari do të dalë në UÇK. Agim Ramadani i ka thënë se ti je më i ri, duhet të qëndrosh i fundit. Ai ka thënë se unë do të dalë i pari se në Izbicë i kanë vrarë kushërinjtë e mi. Këtu i pari ka qenë që është vrarë. Ditën e parë të Koshares që është thyer kufiri ai është vrarë. Vëllai i madh tha se po dalë me lyp, kur del këtu takohet me shokët e tij, ata i tregojnë që ai është i vrarë”, tha ajo.

Kade Hajzeri, nëna e dëshmorit Shaban Hajzeri, kujton momentin kur biri i saj vendosi t’i bashkohej luftës. Një vendim që e mori me zemër, pavarësisht nga përpjekjet e familjes për ta ndalur.

“Ka dalë nga shtëpia, janë munduar ta ndalin vëllezërit, babai. Jo, ka thënë, dua të shkoj që të luftojë. Ka dalë, ne nuk e dinim, ka hyrë një herë në Shqipëri, ka dalë kah Shqipëria me shokët e vet, ka thënë dua të shkoj që të luftoj në Koshare. Ka luftuar, kur është vrarë ne nuk e kemi ditur. Ne kemi qenë në Rozhajë, kur kemi ardhur na kanë treguar që është vrarë. Me kuletën, me krejt qysh i ka pasur në xhep, me të gjitha. I kemi marrë vesh që është vrarë”, rrëfen ajo me sy të përlotur.

Fjalët e saj i japin zë një dhembjeje që s’është shuar as pas 26 vjetësh.

“19 vjeç ende nuk i ka pasur. I ri, po Zoti e ka shkruar. Është betuar për këtë, Zoti inshallah e ka mëshiruar me xhenet. Neve na kanë lënë në liri, po nuk po dinë këta vlerën e as hiç. Ku jemi ne, nuk e di askush. As nuk kemi rrugë, as kurrgjë, nuk na kanë ngjitur dorën qe 27 vjet që ka ra ky”, tha ajo.

Të ngjashme

Të fundit