15.5 C
New York
Monday, November 3, 2025

Buy now

Falsifikime milionëshe të dokumenteve, arrestohet një person, sekuestrohen armë, para dhe dokumente

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas disa muajsh hetime intensive ka zbuluar një veprimtari të dyshuar kriminale që lidhet me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas njoftimit, hetimet janë zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Gjatë hetimeve është konstatuar se i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte falsifikuar dokumente zyrtare që janë përdorur për bartje dhe legalizim të pronave shtetërore, me qëllim të tjetërsimit të tyre në pronësi private. Pronat më pas janë shitur duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma të mëdha financiare me vlerë milionëshe.

Në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2025, policia ka realizuar kontrolle në dy rajone të vendit, përfshirë një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar:

dokumente të ndryshme që lidhen me rastin (kontrata shitblerjeje, regjistra parcelash, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të paplotësuara të ish-RFJ-së);

pesë makina të vjetra shkrimi dhe një pajisje “Paper Trimmer”;

një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë;

një telefon iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.

Bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për veprat penale:

Falsifikim i Dokumenteve,

Legalizim i Përmbajtjes së Rreme,

Mashtrimi, dhe

Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48 orë. Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka theksuar se, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit