Pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë sot festën e Fitër-Bajramit. Manifestimi qendror për Fitër Bajramin, për Republikën e Kosovës, u mbajtë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i Fitër Bajramit u fal në orën 06:23, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

Hytben e Fitër Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Myftiu Tërnava, uroi të gjithë besimtarët myslimanë, me rastin festës së Fitër Bajramit. “Ju përgëzoj e uroj të gjithëve festën e Fitër Bajramit! Me hajr e me të mira na qoftë festa e Fitër Bajramit!”, tha myftiu Tërnava.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.