2.8 C
New York
Saturday, February 1, 2025

Buy now

Fakte që duhet t’i dini për Marrëveshjen e lirisë së lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë

- Advertisement -

Kosova dhe Serbia e kishin arritur Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, më 2 korrik 2011. Kjo marrëveshje u kishte mundësuar qytetarëve të udhëtonin lirshëm në ose përmes territorit të njëra-tjetrës.

Megjithatë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët i kishin bërë edhe disa aranzhime të përkohshme të pranimit të dokumenteve, sigurimeve të automjeteve dhe targave të njëra-tjetrës.

Kosova dhe Serbia fillimisht ishin pajtuar për këto pika të marrëveshjes:

  • Qytetarët të mund të kalojnë kufirin me letërnjoftim të thjeshtë, dhe një dokument të plotësuar ‘hyrje/dalje’ që jepet në kufi.
  • Qytetarët e secilës palë, duhej ta blinin sigurimin e automjetit, për të udhëtuar në territorin e palës tjetrës (mbi 100 euro në muaj për në Serbi dhe 80 euro në muaj për Kosovë). Kjo, sepse Kosova, ndryshe nga Serbia, nuk është pjesë e Sistemit të Kartonit të Gjelbër.
  • Të pranonin patentë shoferët e njëra-tjetrës dhe
  • Të shtyhet vlefshmëria e targave të automjeteve KS për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh, ndërsa targat e automjeteve RKS duhej të zëvendësoheshin me ato të përkohshme para hyrjes në territorin serb.

Në vitin 2011, marrëveshja së pari u implementua në dy pika të kalimit tranzit përmes territorit të Serbisë, një në mes të Serbisë dhe Hungarisë (Horgoš – Röszke) dhe një tjetër në mes të Serbisë dhe Kroacisë (Batrovci-Bajakovo). Në vitin 2014, marrëveshja u bë funksionale edhe në gjashtë pika të tjera tranziti nga Serbia në vendet e treta. Kjo përfshinte dy aeroporte në Serbi (atë të Beogradit dhe Nishit) si dhe katër pika të tjera Sid-Tovarnik, pikëkalim kufitar në mes të Serbisë dhe Kroacisë; Kelebia-Tompa, pikëkalim kufitar në mes të Serbisë dhe Hungarisë; Preshevë-Tabanovce, pikëkalim kufitar në mes të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe Gradinje-Kalotina, pikëkalim kufitar në mes të Serbisë dhe Bullgarisë.

Para kësaj marrëveshje, përkatësisht prej vitit 2008 e tutje, qytetarët e Kosovës nuk lejoheshin të udhëtonin në dhe përmes Serbisë, përveç nëse posedonin letërnjoftim/pasaportë serbe ose të UNMIK-ut. Atyre nuk u lejohej të hynin në territorin serb as me targa të automjeteve RKS. Atyre u kërkohej të blinin targa të përkohshme treditore dhe sigurim të automjeteve 15-ditorë. Në mënyrë të ngjashme, serbët nga komunat veriore, u përballën me shumë pengesa për të udhëtuar në pjesën jugore, në mungesë të vullnetit për t’u pajisur me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova, shkruan Demokracia.

Arritja e kësaj marrëveshje kishte shënuar një sukses të madh për të dy palët, meqë po kontribuonte në normalizimin e situatës. Sidoqoftë, në fillim ishte e vështirë të zbatohej. Në të njëjtin muaj kur palët arritën marrëveshjen, aktet të dhunës pasuan në veri të Kosovës, për faktin se policia e Kosovës u përpoq të merrte nën kontroll dy pikat kufitare, Bërnjak dhe Jarinje.

Në nëntor të vitit 2011, palët nënshkruan konkluzionet operacionale, si shprehje e përkushtimit të tyre për përmirësimin e situatës.

Marrëveshja veçse kishte filluar të sillte mjaft përfitime, duke shtuar numrin e pasagjerëve dhe veturave që udhëtuan nga Kosova në ose përmes Serbisë, ku nga viti 2011 deri në 2012 ky numër u rrit me mbi 100,000.

Po ashtu, marrëveshja kishte shkurtuar distancën dhe kishte ulur kostot e udhëtimit për në vendet evropiane, nga e cila përfituan veçanërisht diaspora e Kosovës. Tani ata nuk kishin nevojë të përdorin opsione të tjera tranziti, të cilat janë më të largëta dhe më të shtrenjta, por e përdorin Serbinë si tranzit. Për shembull, për një udhëtim nga Kosova (Prishtina) në Gjermani (Berlin) përmes Serbisë, distanca është 1747 km, ndërsa përmes Shqipërisë distanca është 2075 dhe përmes Kroacisë nga Malit i Zi distanca është 2168, plus shpenzimet për traget në rastin e Shqipërisë. Sipas statistikave zyrtare, që nga implementimi i kësaj marrëveshje nga viti 2011 deri në vitin 2018, kishte një rritje të jashtëzakonshme të qytetarëve dhe makinave që e përdorin rrugën tranzit përmes Serbisë.

Marrëveshja vendosi më shumë rregull sa i përket regjistrimeve të automjeteve në komunat veriore. Targat serbe të automjeteve që mbajnë emrat e qyteteve të Kosovës, gradualisht po hiqeshin dhe rreth 8000 serbë të Kosovës, i kishin regjistruar makinat e tyre me targa të Kosovës.

Shumica e serbëve të veriut të Kosovës janë pajisur me dokumente personale të Kosovës, përfshirë letërnjoftime dhe patentë-shoferë. Të dhënat tregojnë se deri në vitin 2019, rreth 87.20% e banorëve në veri janë pajisur me letërnjoftime të Kosovës.

Po ashtu, marrëveshja e rriti edhe integrimin e komunave veriore dhe shtoi kontaktet midis serbëve dhe shqiptarëve, pasi qytetarët nga komunat veriore filluan të udhëtojnë më shpesh në jug të Kosovës për qëllime tregtare dhe biznesi.

Megjithatë, ende shumë pengesa kishin mbetur.

Serbia ende nuk i njeh targat e automjeteve RKS. Qytetarët e Kosovës duhet t’i ndërrojnë ato me targa të përkohshme, gjë që kushton kohë (të paktën 30 minuta për t’iu nënshtruar kësaj procedure) dhe të holla (targat e përkohshme e kanë një kosto monetare).

Ngjashëm, lëshimi i dokumentit të hyrje/daljes në kufi, të cilin Serbia e ka aplikuar që nga fillimi, krijonte orë të panevojshme pritjeje. Në disa raste, pengesat shfaqen në formën e pengimit të lirisë së lëvizjes për arsye politike ose të tjera. Për shembull, Serbia nuk i lejonte shtetasit e vendeve të treta të hyjnë në Serbi nga Kosova; dhe targat e automjeteve të Serbisë që mbajnë emërtimin e qyteteve të Kosovës janë ende në qarkullim në veri të Kosovës (KM, PR, PZ).

Deri më 25 qershor 2015, Serbia dhe Kosova, me lehtësimin e Këshillit të Byrove, ranë dakord për njohjen reciproke të sigurimit të automjeteve. Zbatimi i kësaj marrëveshje filloi më 12 gusht 2015. Që atëherë, drejtuesit e makinave të regjistruara në Kosovë, duhet ta shtojnë Serbinë në sigurimin e tyre të auto-përgjegjësisë, kurdo që bëjnë sigurimet e tyre TPL Plus në Kosovë.

Një vit më vonë, më 14 shtator 2016, Kosova dhe Serbia ranë dakord të vendosnin letër-ngjitëse në targat e automjeteve RKS dhe SRB, duke mbuluar në këtë mënyrë pjesët përkatëse të targave të automjeteve, kur hyjnë në territorin e njëra-tjetrës. Kjo masë do të zbatohej në mënyrë identike për të dy palët dhe do të kontribuonte në shkurtimin e orëve të pritjes në kufi (për qytetarët e Kosovës me targa të automjeteve RKS dhe anasjelltas).

Sot, megjithëse qytetarët në parim mund të lëvizin lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës, disa sfida mbesin dhe ndërhyjnë në normalizimin e plotë. Prandaj, shumë shqiptarë hezitojnë të udhëtojnë në ose përmes territorit të Serbisë, ashtu siç shumë serbë nuk ndihen rehat të udhëtojnë në ose përmes territorit të Kosovës.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit