Chelsea ka vendosur për katër lojtarët që dëshiron të shesë këtë verë, në përpjekje për të shmangur problemet me “fair-play”-n financiar në Premier Ligë dhe mes emrave është edhe ai i sulmuesit shqiptar Armando Broja.
Blutë e Londrës kanë shpenzuar mbi 1 miliardë euro për transferime që kur Tod Bohli dhe Behdad Egbali morën “frenat” e klubit nga Roman Abramoviç në vitin 2022, por investimet e bëra nuk kanë qenë të suksesshme në fushë.
Të besuarit e Mauricio Poçetinos momentalisht renditen në vendin e 11-ë në kampionat dhe me shumë mundësi nuk do të arrijnë në kompeticionet europiane për sezonin e dytë radhazi.
Sipas “The Telegraph”, zërat janë rritur në rrethin e rivalëve të Chelseat, se klubi duhet të përfitojë një fond me vlerë 100 milionë euro deri në fund të qershorit të këtij vitit, për të shmangur thyerjen e rregullave financiare të Premier Ligës.
Këtë vit Chelsea ka përfituar mbi 100 milionë euro nga shitjet e disa lojtarëve si Maunt, Pulisiç dhe Ampadu, e sidoqoftë ata kanë shpenzuar mbi 448 milionë euro, duke lënë një deficit të madh.
Sipas burimeve të kësaj medie, klubi do të kërkojë mundësi për të larguar Trevoh Çalobah e Armando Brojën, por gjithashtu mund të lejojë largimin e Konor Galager dhe Mark Kukurela.
Një detyrim për të mbledhur para shpejt, mund të sjellë edhe shitjen e mundshme të sulmuesit të Kombëtares shqiptare drejt një klubi tjetër të Premier Ligës, ku që në janar shumë prej tyre e kanë kërkuar me ngulm Brojën.
Sulmuesi është huazuar deri në fund të sezonit te Fullham, por edhe aty nuk po arrin të luajë titullar, pasi zëvendësuesi i Raul Himenesit të dëmtuar, Rodrigo Munis, po shkëlqen duke shënuar gola, çka ka detyruar Brojën që të presë momentin e tij, kjo e konfirmuar edhe nga trajneri Silva që ia ka komunikuar sulmuesit si privatisht, por edhe publikisht në një prej konferencave të shtypit.
Ndeshjet ikin dhe e rëndësishme për Armandon është minutazhi, duke qenë se Europiani është përpara dhe duhet të bindë Silvinjon që ta përfshijë në listën përfundimtare me 23 lojtarë.