Masat kundër Kosovës pas “dështimit” për të adresuar një zgjidhje për situatën në veri, janë përmendur shumë kohëve të fundit, madje edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Pikërisht këto ditë, pritet që edhe Këshilli Evropian të mbajë mbledhje më 29 dhe 30 qërshor. I pranishëm, në një takim do të jetë edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Natyrisht, njëra prej temave që do të diskutohet në këto takime me “vëmendje”, do të jetë edhe Ballkani Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tashmë u ka nisur një letër shteteve anëtare për një takim që do të mbahet të enjten dhe të premten e kësaj jave.
“Dëshiroj t’ju ftoj në Këshillin tonë Evropian të qershorit, i cili do të mbahet të enjten më 29 dhe të premten më 30 qershor. Takimit tonë do t’i paraprijë një drekë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin mund të shkëmbejmë për çështje të sigurisë globale dhe evropiane.” – thuhet në fillim të kësaj letre.
Përtej çështjeve të tjera me rëndësi globale aktualisht, në këto takime do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor, rrjedhimisht, situatën mes Kosovës dhe Serbisë.
“Zëra të ndryshëm të politikës së jashtme meritojnë vëmendjen tonë, veçanërisht samiti i ardhshëm BE-CELAC, marrëdhëniet tona me partnerët në fqinjësinë jugore dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.” – tha ai.
Nuk dihet nëse në këtë takim mund të diskutohet për masat e përfolura aq shumë, megjithatë, ditëve të fundit zyrtarët e BE-së nuk kanë hezituar të flasin publikisht për një çështje të tillë.
Këtë javë?
Komisioni Evropian mund të komunikojë gjatë kësaj jave masat që janë ndërmarrë kundër Kosovës. Kjo gjë u konfirmua nga drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, gjatë një takimi të ministrave të BE-së.
“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të Stabilizim Asocim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen.” – u shpreh ai.
Tutje, Koopman dha edhe të tjera detaje rreth masave, duke u shprehur si vijon: “Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë.”
Në lidhje me mesat, para disa ditëve ka folur edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, i cili mirëpriti lirimin e tre policëve, megjithatë, tha se shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet.
“Shtetet anëtare kanë nënvizuar shqetësimin për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kam cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën, e të bëhet në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të bërë më 3 qershor. Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet, për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim.” – tha ai. /Nacionale/