Një sistem i ri mbrojtjeje me kosto të ulët mund të bëhet pjesë kyçe e aftësive mbrojtëse të BE-së
Dronët rusë që fluturojnë mbi aeroporte mund të neutralizohen së shpejti nga një sistem inovativ suedez, shumë më i lirë dhe më i sigurt se raketat tradicionale. Kompania Nordic Air Defence (NAD) me bazë në Stokholm po zhvillon një mini-raketë interceptuese, që përdor forcë kinetike për të rrëzuar dronët pa shpërthime apo dëmtime anësore.
Raketa, e quajtur Kreuger 100, është e pajisur me sensorë infra të kuq që gjurmojnë dronët armiq dhe i përplasin në ajër me shpejtësi të lartë. Ky sistem është 16 mijë herë më i lirë se një avion luftarak, duke e bërë atë një alternativë jashtëzakonisht efikase për mbrojtjen e hapësirave publike, aeroporteve dhe infrastrukturës kritike në territorin e BE-së.
“Këto ndërhyrje në aeroporte janë shembulli perfekt pse mbrojtja ndaj dronëve kërkon një zgjidhje më inteligjente sesa t’i qëllosh me armë shpërthyese”, tha Karl Rosander, CEO i NAD, për The Telegraph.
“Sistemi ynë është elektrik dhe plotësisht kinetik – pa lëndë plasëse. Ai godet dronin dhe e neutralizon përmes shpejtësisë, gjë që e bën të sigurt për përdorim edhe në mjedise civile”, shtoi ai.
Rosander theksoi se zgjidhje të tilla do të ishin ideale për incidente si ai i ndodhur në Danimarkë, ku përdorimi i raketave shpërthyese do të kishte rrezikuar infrastrukturën civile.
Ky inovacion suedez pritet të luajë një rol të rëndësishëm në strategjinë e mbrojtjes së BE-së ndaj dronëve rusë, duke ofruar një mënyrë të re, të lirë dhe të sigurt për të mbrojtur qiellin evropian.