Evra me kritika të ashpra pas vendimit për të shpallur Marokun kampion në tavolinë

- Advertisement -

Ish-reprezentuesi francez Patrice Evra, ka reaguar ndaj vendimit të Konfederatës Afrikane të Futbollit për t’i dhënë Marokut titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025, pavarësisht fitores së Senegalit në fushë vetëm dy muaj më parë.

“Është një turp për futbollin afrikan, një skandal absolut,” deklaroi ish-mbrojtësi i Manchester United në një video të publikuar në Instagram.

Ai sulmoi gjithashtu Jean Jacques Ndala, gjyqtarin e asaj finaleje të diskutueshme, të cilin e konsideron përgjegjës për kaosin: “Të gjithë e pamë që Senegali fitoi. Por pse askush nuk po flet për këtë arbitër? Ku është ai tani?”.

Evra shkoi edhe më tej, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e kompeticionit: “Kupa e Afrikës ka humbur çdo besueshmëri. Dy muaj më vonë shpallin Marokun kampion… Mendova se ishte një shaka e 1 Prillit,” u shpreh ai. “Kampionët e vërtetë janë Senegali, dhe gjithmonë do të jenë.”

Që prej njoftimit të CAF-it për t’i dhënë Marokut një fitore 3-0 në tavolinë, reagimet kanë qenë të shumta nga të gjitha anët, me shumë që vënë në dyshim legjitimitetin e këtij vendimi.

Të ngjashme

Të fundit