Çdo rekord është thyer këtë vit për zonat e djegura në të gjithë Europën, sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje. Zjarret që kanë prekur Europën javët e fundit, veçanërisht pjesën e saj perëndimore kanë shkatërruar tashmë më shumë hektarë tokë sesa zonat e prekura gjatë gjithë vitit 2021.
Në 27 vendet e Bashkimit Europian, zjarret kanë shkatërruar gjithsej 5,178,810 hektarë që nga fillimi i vitit, pra më shumë se 5,000 kilometra katrorë. Në të gjithë vitin 2021, në vendet e Bashkimit Europian u dogjën 4,703,590 hektarë, sipas të dhënave të EFFIS.
Nëse trendi aktual vazhdon, viti 2022 mund të kalojë vitin 2017, viti më shkatërrues që nga krijimi i EFFIS në 2000, kur 9,880,870 hektarë, një sipërfaqe e barabartë me sipërfaqen e Libanit, u bë hi.
“Situata është edhe më e keqe nga sa e parashikuam, edhe nëse prisnim anomali të temperaturës falë parashikimeve afatgjata meteorologjike”, shpjegon Jesus San Miguel, koordinator i EFFIS, duke theksuar se “vala e të nxehtit është vendimtare në formësimin e situatës dhe lidhet qartë me ndryshimi e klimës”.
Rreth 400,000 hektarë janë djegur që nga fillimi i vitit në Francë, kundrejt 300,000 në të gjithë vitin 2021, më shumë se 1,900,000 hektarë në Spanjë, kundër 8,500,000 në të gjithë vitin 2021.
Edhe në një vend ku zjarret janë të rralla si Britania, ku temperaturat arritën 40 gradë Celsius për herë të parë këtë javë, sipërfaqja e djegur arriti në 200,000 hektarë këtë vit, në krahasim me 60,000 hektarë në vitin 2021.
“Ne e dinim se do të ishte një verë e vështirë dhe ne presim që situata të vazhdojë, ne jemi vetëm në mes të sezonit të zjarrit”, tha Jesus San Miguel.