Nasim Haradinaj është liruar nga Gjykata Speciale, ndërsa bashkëshortja e tij, Xhejlanja, ka thënë se gjenerali Haradinaj është kthyer në shtëpi sot, edhe pse kthimi i tij duhej të ishte më herët.
Ajo ka theksuar se mënyra si e kanë sjellë si “të kidnapuar” ka qenë një spektakël jashtëzakonisht i keq.
Zonja Haradinaj ka shprehur keqardhje për sjelljen e EULEX dhe ka thënë se do t’i lërë traumë asaj dhe familjes Haradinaj.
“Gjenerali është kthyer në shtëpi, është dashur të kthehet më herët, por është kthyer sot edhe pse nuk kemi marrë asnjë lajm, mënyrën siç e kanë sjellë, ashtu siç e kishin kidnapuar, pra si të kidnapuar, pa u lajmëruar unë apo avokati, ka qenë shumë një spektakël jashtëzakonisht i keq, do të më lënë trauma sjellja e EULEX-it sot ndaj familje Haradinaj dhe ndaj meje”, ka thënë ajo.
Ajo ka përshkruar se EULEX bëri një spektakël duke tentuar të takoheshin në një vend, por u detyruan të shkonin në një vend tjetër, dhe kjo, sipas saj, ishte sikur të ishin në një vend në Serbi.
Ajo ka akuzuar EULEX për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ka theksuar se nuk i përfillin këto të drejta.
“E bëri një spektakël me u taku në një vend, nuk e sollën Nasimin aty, shkuam diku tjetër, unë mendoja a jemi në Serbi, çfarë është duke ndodhur, kjo ka qenë një traumë, por jam mësuar me këto gjëra dhe besoj se kalon. Asgjë njerëzore nuk ka qenë, as të drejtat e njeriut EULEX-i nuk i përfill”, ka deklaruar ajo.
Gjatë intervistës për Debat Plus, ajo ka pohuar se mungesa e Nasim Haradinajt ka qenë e ndjeshme për familjen, dhe ka shtuar se situatat e vështira janë përjetuar edhe për shkak të sëmundjes së saj dhe vdekjes së vëllait.
“Normal i kemi munguar ne, i ka munguar Kosova, por edhe për shkak që kanë qenë situatë ku na ka munguar edhe më shumë për shkak të sëmundjes sime, vdekjes së vëllait që është dashur të ishte në varrim, por që nuk e kanë sjellë. Vetëm një gjë EULEX-i nuk mundet t’ia heqë, është dashurinë prej atdheut”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, zonja Haradinaj ka shfaqur dyshime për drejtësinë, duke thënë se ajo do të presë drejtësi vetëm nëse një person serb i akuzuar për krime do të ulet në gjyq.
“Unë pres drejtësi vetëm nëse një serb që ka bërë krime në këtë vend do të ulet në ato bankat të gjykimit, atëherë mendoj që po shpresoj që bëjmë diçka për drejtësi. Derisa vetëm çlirimtarët ulen aty dhe gjykohen për diçka që as nuk e kanë bërë, unë nuk pres drejtësi aty”, është shprehur ajo.