Më në fund, Torino ia ka dhënë rastin Etrit Berishës për të mbrojtur me “Granata” në Serie A.
Portieri kosovar ishte titullar në barazimin e fundit pa gola me Bolognan duke e shfrytëzuar lëndimin e portierit Vanja Milinkovic-Savic.
Dhe, Berisha ka ditur ta shfrytëzojë mjaft mirë rastin dhe me këtë rast është bërë “një kërcënim” për portierin serb sa i përket pozitës së titullarit,
Milinkovic-Savic i kishte bërë disa gabime në ndeshjet e fundit, të cilat i kanë kushtuar shtrenjtë Torinos.
Edhe për këtë arsye, përfaqësuesi shqiptar e ka dhënë më të mirën nga vetja për t’u rikthyer i pamposhtur nga Bologna dhe ai ia arriti qëllimit.
Torinos nuk i kishte ndodhur ta mbyllte ndeshjen pa pësuar gol që nga loja në shtëpi me Fiorentinën.
Berisha, me paraqitjen solide të bërë ndaj ekipit të drejtuar nga serbi Sinisa Mihajlovic, ka bërë që të harrohet paraqitja jo fort pozitive e bërë në Kupën e Italisë kundër Sampdorias.
Në ndeshje me Bolognan, numri 1 i Toros i ka bërë disa dalje të shkëlqyeshme duke shfaqur siguri dhe duke sjell qetësi të madhe në mbrojtjen “Granata”.
Berisha ka dalë nga fusha e blertë mjaft i kënaqur me paraqitjen individuale, por jo edhe me rezultatin final.
Sidoqoftë, ai pritet të jetë titullar sërish tek Torino, së bashku me bashkëkombësin e tij, Mërvim Vojvoda, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, në fund do të vendosë trajneri Ivan Juric.
“Do ta shohim. Etriti nuk ka bërë mirë në tre apo katër muajt e parë, nuk ishte në nivelin e tij. Më pas, gjatë ushtrimeve është përmirësuar. Do t’i vlerësojmë të gjitha gjërat dhe do të vendosim se cili portier do të mbrojë”, ka theksoi ai, raporton “toro.it”.
Berisha i pati disa eksperienca në futbollin italian, duke luajtur në Lazio, në Atalanta dhe në Spal.