26.2 C
New York
Wednesday, July 16, 2025

Buy now

“Është përgjegjësi e liderëve politikë të formojnë institucionet”, ShBA-ja paralajmëron se data e dhënë nga Kushtetuesja po ofron

- Advertisement -
Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe pas seancës së 47-të me radhë, e cila u mbajt të martën, por nuk sjelli rezultat.

Kjo situatë dhe kjo seri po vazhdon të përsëritet që nga 15 prilli i këtij viti, kur edhe është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa 3 muaj më pas nuk ka zgjidhje.

Pothuajse çdo mundësi e opsion është provuar, përveç një dakordimi mes krerëve politik, mundësi e cila duket të ketë mbetur e fundit për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Se liderët politik duhet të gjejnë një zgjidhje, kanë thënë sot për lajmi.net edhe nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Ata kanë thënë se tani më data e fundit për t’u konstituuar Kuvendi e dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës po ofron.

“Vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës rekomandoi konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve nga vendimi i saj, dhe kjo datë po afron. Është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, kanë thënë nga ambasada amerikane për lajmi.net.

Nga kjo ambasadë kanë thënë se mezi presin të punojnë me qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur prej kohësh zhvillimin demokratik të Kosovës dhe mezi presin të punojnë me qeverinë e ardhshme për të çuar përpara stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal”, kanë thënë mes tjerash Ambasada e SHBA-ve në Kosovë për lajmi.net.

Situata e krijuar në Kosovë ka shkaktuar një ngërç institucional në Kosovë duke e lënë Kosovën pa Kuvend e pa Qeveri por me një Qeveri në detyrë, të cilët nga opozita po akuzohen për shkelje të Kushtetutës pasi që sipas tyre asnjë deputet i betuar nuk ka të drejtë të mbajt pozita në Qeverinë e Kosovës.

Situatën e krijuar në Kuvend, saktësisht vendosjen në votim të komisionit për votim të fshehtë nga kryesuesi i seancës, deputeti i VV-së, Avni Dehari, deputetët e AAK-së muaj më parë e kanë dërguar për interpretim në Gjykatë Kushtetuese.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka thënë se i kanë vetëm edhe 30 ditë kohë për të konstituuar Kuvendin por e njëjta nuk ka treguar se çka mund të ndodh pas këtij afati. ”

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjitha vendimet tjera që kanë natyrë të njëjtë me te të marra në seancat paraprake dhe të mëpastajme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar “transkript i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, 1, 3 dhe 5 maj 2025”, të parashtruar nga Time Kadrijaj dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata ka vendosur njëzëri: I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme; II. Të konstatojë që: 1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe 2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Për zgjidhjen e këtij ngërçi në Kuvend, në vazhdimësi është deklaruar se nuk është ngërç juridik por ngërç politik dhe se duhet të ketë një marrëveshje politike por që kjo nuk po arrihet që të bëhet.

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj ka thënë se e ka ftuar kryetarin e VV-së njëherit edhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin për një takim për kafe por që ende nuk janë deklaruar se a janë takuar apo jo dhe a është bërë një marrëveshje politike mes tyre.

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, 48 orë pas seancës së sotme e cila përfundoi pa rezultat

Të ngjashme

Të fundit