I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja është “thellësisht e përkushtuar ndaj Srebrenicës dhe banorëve të saj” dhe se “mbetemi të përkushtuar në mbështetjen tonë për Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj euroatlantike”.
Këtë deklaratë Escobar e dha në një video të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Bosnjë. Diplomati amerikan i dha rëndësi mbamendjes së një prej masakrave më të rënda të Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë, raporton Gazeta Express.
Ai njoftoi se ka bërë homazhe te Memorialin në Srebrenicë për viktimat e gjenocidit të kryer në korrik të vitit 1995.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë kurrë dhe do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për të gjithë ata që kërkojnë të gjejnë të zhdukurit,të cilët përpiqen të marrin përgjigje për – pyetjet, të cilët ofrojnë mbështetje për të mbijetuarit dhe kërkojnë drejtësi për mizoritë e kryera”, tha i dërguari amerikan.
Escobar tregoi se e ka vizituar edhe qendrën përkujtimore dhe varrezat në Potoçar.
“U preka nga historitë e nënave të Srebrenicës”, tha Escobar, duke treguar se ato theksuan rëndësinë e ofrimit të mbështetjes për të mbijetuarit e masakrës, “për ata që kërkojnë ta ruajnë kujtimin e viktimave”.
“Faktet për gjenocidin në Srebrenicë janë vërtetuar dhe nuk mund të kontestohen”, theksoi Escobar.
Ai tha se mohimi i gjenocidit, glorifikimi i kriminelëve të luftës u shkakton dhimbje viktimave dhe vuajtje familjeve të tyre.
“Ai gjithashtu shkatërron strukturën e shoqërisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe është një kërcënim për stabilitetin e saj”, tha Escobar.
https://twitter.com/USEmbassySJJ/status/1696556961196597403?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1696556961196597403%7Ctwgr%5Edcf4b67e51bfa7ed8943d4287c214f7b9901ba62%7Ctwcon%5Es1_c10&ref_url=https%3A%2F%2Finsajderi.org%2Fescobar-shkon-ne-srebrenice-u-preka-nga-historite-e-nenave-shba-ja-sdo-te-harroje-kurre%2F






