SHBA pret që Kosova dhe Serbia të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai vlerësoi se ka ardhur koha të formohet Asociacioni.
“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, tha Escobar për Tanjug.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 2 maj në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 mars.