Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, është deklaruar rreth shtyrjes së aplikimit të vendimeve të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin për targa dhe dokumentet shtesë për qytetarët serbë.
Escobar, ka thënë se këtë e sheh si një mundësi për të gjetur zgjidhje që do të ndihmonte qëndrueshmërinë rajonale, shkruan lajmi.net.
“Nuk do thosha se është thjeshtë një shtyrje, do të thosha se është një mundësi për të gjetur zgjidhje që do të ndihmonte integrimin dhe qëndrueshmërinë rajonale”, tha zoti Escobar.
Shtetet e Bashkuara thonë se vendimet e qeverisë janë në harmoni me marrëveshjet e Brukselit, i cili ka ftuar për 18 gusht në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar zgjidhjet që do të shmangin tensionet si ato të së dielës.
Përndryshe vendimet e qeverisë për reciprocitet për targa dhe dokumentet shtesë për qytetarët serbë, ishte paraparë që të zbatoheshin që nga data 1 gusht, por pas tensioneve të krijuara në veri dhe kërkesës së SHBA-ve për shtyrjen e aplikimit të tyre, qeveria vendosi që zbatimi i tyre të bëhet nga data 1 shtator.