Në një bisedë me gazetarë, ai është shprehur se Kosova këtë problem s’e ka veç me ShBA-në, por edhe me BE-në, NATO-n, Britaninë e Madhe, e madje, edhe me dy shtetet fqinje, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
“Partneriteti mes ShBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe ShBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin, nuk është veç ShBA-ja, këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën.” – tha ai.
Mes tjerash, gazetari i Nacionales, Xhezair Dashi në këtë konferencë e pyeti Escobarin se pse ende nuk është dërguar drafti i Asociacionit për shqyrtim në Kushtetuese.
“E kemi të vështirë ta kuptojmë pse s’e kanë dërguar ende në shqyrtim te Kushtetuesja. Ne inkurajojmë Kosovën të ecë para, Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Srpska, nuk ka shtet brenda shteti, nuk ka asgjë në statut që lejon një autoritet ekzekutiv, ose fuqi ekzekutive.” – ka thënë ai.
Escobar ka përsëritur se formimi i Asociacionit është ligjërisht i obligueshëm, dhe e bëri të qartë se nuk pranojnë kurrfarë arsyetimi nga Qeveria e Kosovës.
“Është thjeshtë mundësia për komunat, komunat me shumicë serbe që të koordinohen, në gjuhën serbe, për qytetarë të Kosovës. Është ligjërisht i obligueshëm. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë. Besojmë që e gjithë çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit.” – ka thënë diplomati amerikan.
Kur jemi te dinari, Escobar ka vlerësuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon pagesat me dinarë, ka qenë katastrofale. Mes tjerash, ai ka renditur edhe arsyet se pse vendimi ka qenë i gabuar.
“Kemi dëgjuar shumë raporte për vështirësitë që qytetarët e Kosovës në veri po përballen dhe i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtarëve për mënyrën si po i trajton komunitetet. Arsyet pse e kundërshtojmë: Shpejtësia e zbatimit, nuk po diskutojmë në legalitetin e vendimit por zbatimin e tij. E dyta, Qeveria nuk ofroi alternativ si t’i pranojnë pagesat dhe këta njerëz u privuan nga to. Nuk ka pasur shtrirje. E fundit, dy javë para njoftimit të vendimit, Kosova u pajtua në Shkup me vendet tjera për pagesat elektronike dhe sikur të pritej kjo çështje do të zgjidhej. Duhet që Qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës.” – është shprehur diplomati amerikan.