Asociacioni duhet të zbatohet, tha kryeministri Albin Kurti në një intervistë të fundit, ku tregoi se i pranon të gjitha pikat e marrëveshjes së fundit me Serbinë dhe kërkoi që të gjitha të zbatohen sa më shpejt. SHBA-ja kërkon themelimin e Asociacionit si parakusht për të nisur sivjet një fushatë globale për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, dhe Kurti e përmend qëndrimin amerikan kur tregon se çfarë Asociacioni duhet të ketë.
Kryeministri Albin Kurti dha një intervistë për gazetën kroate, Vecernji list, të cilën zgjodhi ta publikojë të plotë në shqip edhe në llogarinë e tij në Facebook. Në bashkëbisedim me gazetarin Hassan Haidar Diab, i cili tha se e njeh Kurtin prej vitesh, shefi i Qeverisë së Kosovës foli për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, për të cilët tha se po ia mbajnë drastikisht anën Serbisë me qasjen e tyre.
“Në zyrën me ajër të kondicionuar të kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ndjehet një tension i lehtë” shkroi në gazetën kroate Diab kur e prezantoi intervistën.
Megjithatë, kur foli për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai e përmendi qëndrimin e qeverisë amerikane se si duhet të jetë kjo bashkësi komunash.
Kurti: Asociacioni duhet të zbatohet, Republika Srpska s’është e mundur
I pyetur se a janë të pranueshme për të të gjitha pikat e marrëveshjes me Serbinë të finalizuar në Ohër, Kurti tha kështu: “Sigurisht që janë. Dua zbatimin e të gjitha atyre pikave, pa kushte, në plotni dhe sa më shpejt”.
Kur gazetari ia përmend nenin 7 që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse edhe kjo është e pranueshme për ta, Kurti pohon se marrëveshjet e mëparshme janë detyruese dhe se duhet të zbatohen plotësisht.
“Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015”, tha Kurti.
Kurti thotë se është gati për atë “që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre”, duke përmendur planin e Ahtisaarit, mosshkeljen e Kushtetutës së Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një letër të ish-kryediplomates së BE-së, Federica Mogherini të cilën ajo ia kishte dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa për ta siguruar se Asociacioni s’mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes.
“Por në të njëjtën kohë kemi edhe qëndrimin e qeverisë amerikane, i cili është publikuar në një tekst në të cilin shkruhet se asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat. Për ne, etnonacionalizmi territorial është absolutisht i papranueshëm. Ky lloj nacionalizmi e ka të domosdoshëm shovinizmin dhe aparteidin, ai është në kundërshtim jo vetëm me shoqërinë qytetare, por madje edhe me nacionalizmin nacional-çlirimtar”, tha Kurti.
Kryeministri tha se ka ofruar një “draft vizion për komunitetin serb në Kosovë, i cili është frymëzuar nga modeli kroat i vetëmenaxhimit përmes Këshillit Kombëtar Serb”. Për të, Kurti tha se “Vuçiq nuk donte të dëgjonte për të apo ta lexonte”.
“Ai dëshiron bashkimin e komunave me shumicë serbe kundër shtetit tonë, siç është bërë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1991. Në Kosovë 4% e popullsisë janë serbë. Por ata kanë 10 nga 38 komuna, kanë 10 vende të rezervuara nga 120 në Parlament dhe kanë 17 për qind të asambleistëve komunal në komunat tona. Po ashtu, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën në të gjitha nivelet e administratës. Do të thotë, në Kosovë ka diskriminim pozitiv, por Beogradi dëshiron Republikën Srpska brenda Kosovës. Kjo, sigurisht, nuk është e mundur. Jo vetëm që nuk është e dëshirueshme, por edhe nuk është as e mundur”, tha Kurti.
Ai theksoi se Beogradi s’dëshiron të flasë për reciprocitet, sepse “në Serbi ka më shumë pakica kombëtare sesa në Kosovë”.
“Do të thotë, nëse doni diçka për serbët diku tjetër, duhet të mendoni edhe për pakicat në vendin tuaj. Në spitalin e Vranjës, i cili mbulon Preshevën dhe Bujanocin, në rrethin e Pçinjit, nuk ka asnjë mjek shqiptar, ndërsa së paku një e treta e pacientëve janë shqiptarë. Në Luginën e Preshevës, në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë po bëhet spastrim i ftohtë etnik i heshtur administrativ duke anuluar adresat e banorëve shqiptarë. Nëse policia ju troket në derë dhe nuk jeni aty, ju fshijnë nga regjistri. Ata duan të thonë se askush nuk jeton këtu. Në një farë mënyre, për t’u regjistruar atje si banor, duhet të jesh gjatë gjithë kohës në shtëpi”.
Oferta e SHBA-së: Asociacioni në këmbim të një fushate globale për njohje
Kosova para një jave ishte çështje kryesore e diskutimit në Capitol Hill, ku i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar raportoi para Kongresit Amerikan për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Europiane dhe Euroaziatike tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Disa nga to, tha ai, “nuk mund ta njohin për shkak të mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Që SHBA-ja të angazhohet në një rrugë që Escobar tha se e çon Kosovën drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, përmendi si parakusht zbatimin e marrëveshjes së finalizuar në Ohër.
“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, tha Escobar.
Kjo marrëveshje, Escobar tha se ia ka ofruar SHBA-së “mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit” që të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës që të niset “jo vetëm një fushatë europiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve”.
Në çështjen e zbatimit të marrëveshjes, Escobar e cilësoi si “element thelbësor” formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Asociacioni do t’i fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për t’i bashkërenduar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”, tha ai në Kongres.
Shumica e shteteve me të cilat Escobar tha se është në kontakt të vazhdueshëm, “do të dëshironin të shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes, që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
“Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta çojë përpara këtë gjë – me mbështetjen amerikane – përmes një rruge që Asociacioni të mos e rrezikojë kushtetutën, apo strukturën ligjore, që të mund ta nisim këtë vit fushatën e njohjeve”, tha Escobar.
Por në këtë çështje, Escobar tha se s’po e sheh Qeverinë e Kosovës të rreshtuar krah SHBA-së. Për mënyrën se si të ecet drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, ai tha se “deri më tani nuk e kam marrë atë zotim prej Qeverisë së Kosovës